Ilir Meta bëri sot lëvizjen e radhës! E këtë herë jo kundër qeverisë, por kundër ambasadorit të OSBE-së. Në një letër drejtuar Bernd Borchardt, Meta shkruante se ka dy arsye se pse Borchardt nuk është i mirëpritur në zyrën e tij.
E para, sipas Metës, sepse Borchardt vuri në diskutim dekretin e Presidentit për zgjedhjet vendore në Shqipëri në qershor 2019. Por nëse ju kujtohet, në atë kohë ambasadori Borchardt u bëri thirrje palëve politike që të ulen në tryezë e të dialogojnë, për të dalë nga kriza politike e për të hyrë në zgjedhje.
Dhe e dyta, sipas Metës sepse ambasadori i tregoi publikisht gishtin qytetarëve shqiptarë gjatë kohës që po protestonin.
“Do të doja t’u kërkoja sinqerisht ndjesë atyre që mund të kem fyer dje. Unë e respektoj të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht”, ishte reagimi i ambasadorit të OSBE, një ditë pas ngjarjes.
Mirëpo, të ndalemi tek ajo që na pret! Vitin që vjen Shqipëria do të ketë Presidencën e OSBE. Por, a ndikon reagimi i sotëm i Metës në hapin e radhës për vendin tonë po vjen? Kjo mbetet për t’u parë, por si duket presidenti që flet gjithë kohën për sigurinë apo zgjedhjet e ndershme s’e paska problem.
Kujtojmë që OSBE është organizata më e madhe në botë, e orientuar nga siguria. Ajo u krijua në vitin 1975, në kohën e Luftës së Ftohtë, si një forum Lindje-Perëndim. Aktualisht 57 shtetet e saj anëtare shtrihen në Europë, Azi dhe Amerikën Veriore.
Mandati i OSBE-së përfshin edhe kontrollin e armëve, promovimin e të drejtave njerëzore, lirinë e shtypit dhe zgjedhjet e ndershme. OSBE angazhohet gjithashtu në parandalimin e konflikteve, menaxhimin e krizave dhe reabilitimin post-konflikt./Fjala.al