Marrëveshja e arritur në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë, ka shkaktuar bujë në mjaft shtete, por në vendin tonë jo të gjithë kanë mbetur të kënaqur. Pavarësisht se të gjithë u turrën të përgëzojnë të dyja shtetet, sjelljet e mëparshme tregojnë se ka qenë ditë zie për disa personazhe të njohur.
Me firmosjen e marrëveshjes, Uashingtoni u dha një goditje të fortë të gjithë atyre që po luftonin fort që të mos arrihej Shengeni Ballkanik dhe një pakt Kosovë-Serbi. Të vetmit që dolën disa herë kundër janë presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Janë të shumta deklaratat e Metës, ku fliste për shitje të territorit.
Madje bllokoi dhe dekretimin e Gent Cakës me argumentin se ai kishte dalë kundër ndryshimit të kufijve. Sfidat e presidentit ndaj amerikanëve ishin të shumta, përfshirë dhe mini-Shengenin. Duket theksuar se miku më i madh i Metës në Kosovë është Ramush Haradinaj, i cili doli hapur kundër paktit të arritur të premten.
Nga ana tjetër edhe Berisha ka sulmuar vazhdimisht Hashim Thaçin dhe Ramën se po punonin kundër interesave të Kosovës. Sulmet e tij ishin akoma dhe më të forta kur u hodh ideja e Shengenit Ballkanik, duke aluduar se po krijohej Jugosllavia e madhe.
Fakti që SHBA arriti të bëjë palët bashkë, është padyshim dhe një goditje ndaj çiftit Meta-Berisha, të cilët ishin më skeptikët e një marrëveshjeje dhe armiqtë e mini-Shengenit. Nëse shihet reagimi i presidentit për paktin duket shumë i vakët. Por ai që i ka vënë kapak ka qenë këshilltari i tij për sigurinë, Ilir Kulla.
Ky i fundit përmes një statusi në rrjetet sociale ka ironizuar presidentin Trump, mbi statusin tij ku u aludua se e cilësonte Kosovën si shtet mysliman. “Mos u grindni, s’ju ka faj askush, çoni në Shtëpi të Bardhë dikë që quhet Avdullah e mos ju marrë për arabë… me qetësi e për hajër sidomos pika e marrëveshjes për mosnjohjen e Hezbullahut…
Inshallah fiton pas 2 muajsh se hajde shko prapë në Uashington pastaj”, ka shkruar ai. Ajo që e tregon qartë se presidenti është vrerosur nga ky pakt janë dhe qëndrimet në mediat pranë tij. Dy portale tashmë të njohur pro LSI dhe Metës kanë nisur të promovojnë ndjeshëm kritikët e marrëveshjes.
Futja e mini-Shengenit
Pika e cila u ka ngrirë buzëqeshjen kritikave të qeverisë është ajo e Shengenit Ballkanik. Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut kanë rënë dakord që të hapin kufijtë mes tyre. Në këtë bashkëpunim janë ftuar dhe Kosova e Mali i Zi. Kosova ka refuzuar disa herë. Fillimisht ishte Thaçi, më pas edhe Kurti. Nga ana tjetër, Berisha e ka cilësuar këtë marrëveshje si shtije të Kosovës te Serbia.
Presidenti po ashtu e ka sulmuar. Por fakti që kjo çështje është përcaktuar në paktin e arritur në SHBA, tregon se e gjitha ka qenë ide e amerikanëve. Ata duket se po luftojnë fort për të pasur dominim më të madh në Ballkanin Perëndimor. Shtete si Rusia e Kina po e lakmojnë për shkak të daljes në det.
Dihet që Moska ka ndërhyrë në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi. Kina po mundohet të përdorë rrjetin 5G dhe rrugët tregtare. Nga ana tjetër kemi dhe një rivalitet mes SHBA dhe BE. Brukseli prej vitesh tentoi një pakt mes Kosovës e Serbisë dhe dështoi. Pra SHBA përmes Shengenit Ballkanik apo vendosjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë rrit rolin në Ballkan. Padyshim që kjo është një goditje për të gjithë armiqtë e SHBA në vendin tonë. /Nga Kliti Topalli