Shqipëria ka bërë hapa tronditës në rrugën e saj të reformave, duke zbatuar reforma të paprecedent në Drejtësi për të çrrënjosur korrupsionin. Zëvendësndihmës sekretari i Shtetit dhe përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer zhvilloi një seancë dëgjimore në nënkomitetin e Senatit për Europën dhe Bashkëpunimin rajonal të Sigurisë mbi sukseset dhe punët e pambaruara në Ballkanin Perëndimor.
Duke folur pë rajonin ai përmendi disa shembuj suksesi që ia vlejnë të përmenden, mes të cilave edhe Shqipëria.
“Janë shënuar një seri suksesesh të tjera të dukshme në të gjithë rajonin që ia vlen të përmenden. Aleati ynë në NATO, Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në rrugën e saj të reformave, duke ndërmarrë reforma të paprecedent në gjyqësor për të çrrënjosur korrupsionin endemik. Reformat parashikojnë verifikimin e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pajustifikuara, lidhje me krimin e organizuar dhe aftësi profesionale”, tha ai.
“Vetëm 43% e 143 juristëve të verifikuar deri më tani kanë kaluar, një tregues i qartë i korrupsionit të thellë në sistemin e vjetër të drejtësisë dhe lidhjet me krimin e organizuar. Shqipëria gjithashtu ka ngritur dy organet e reja të mbikëqyrjes në gjyqësor, Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për të emëruar, qeverisur dhe disiplinuar gjyqtarët dhe prokurorët; një pikë referimi në zbatimin e reformës në drejtësi. Vendi tani është në prag të krijimit të një prokurorie të re të pavarur e specializuar në luftën kundër korrupsionit”, theksoi Palmer.
“Shqipëria ka krijuar gjithashtu dy institucione të reja mbikëqyrëse të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i lartë i prokurorisë, për emërimin, drejtimin dhe disiplinimin e gjykatësve dhe prokurorëve; një arritje kyç në zbatimin e reformës në drejtësi. Vendi tani është në prag të formimit të një zyre të re të pavarur të prokurorisë dhe gjykatës anti-korrupsion (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), detyra e të cilave do të jetë hetimi i rasteve të korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimet e zyrtarëve të lartë. Po ashtu, vendi ka ndërmarrë hapa për goditjen e kapove dikur të paprekshëm të krimit të organizuar, siç provohet nga dënimi i baronit famëkeq të drogës Klement Balili dhe kapos famëkeq të krimit Emiljano Shullazi”, tha Palmer.
Ai komentoi edhe vendimin e javës së kaluar për negociatat.
“Mosmarrja e një vendimi javën e kaluar nga Këshilli Europian rrezikon të shkatërrojë besueshmërinë e BE-së, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në të gjithë Europën dhe globalisht. Duke mos njohur arritjet e bëra nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si dhe duke penguar përparimin e tyre në zgjerim, Këshilli Europian dërgon një sinjal negativ për aspirantët e tjerë që nënkupton se dera për të hyrë në Europë është e mbyllur. Gjithashtu dobëson argumentet që mbrojnë dobinë e miratimit të reformave të vështira dhe kompromiseve të guximshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet rajonale dhe promovimin e paqes dhe zhvillimit demokratik. Si përfundim, krijon një boshllëk udhëheqjeje që Rusia, Kina dhe vende të tjera janë shumë të lumtura ta mbushin”, tha Palmer.
“I kujtojmë BE-së dhe shteteve anëtare, deklaratat e tyre në Selanik në vitin 2003 dhe në Sofje në 2018, se ekziston një perspektive e qartë europiane, për të gjashtë aspirantët e Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE, bazuar në kritere të vendosura.
Vendet anëtare të BE-së duhet të përcaktojnë një plan të qartë, me reformat reale dhe të qarta, të cilat Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mund t’i arrijnë në një afat të shkurtër, që do të çojë në një rezultat më pozitiv, përpara fillimit të samitit “BE-Ballkani Perëndimor” në Zagreb, në maj të vitit 2020”, shtoi ai
“Sekretari i Shtetit Mike Pompeo më emëroi si i dërguari i tij special për Ballkanin Perëndimor për të theksuar angazhimin e SHBA-së ndaj rajonit dhe për të thelluar bashkëpunimin me partnerët europianë për të bërë të qartë se është një rrugë plotësisht e arritshme e integrimit Euro-Atlantik, ndonëse është e vështirë. Unë do t’i përqendroj përpjekjet e mia në ankorimin e rajonit në Perëndim, duke punuar me qeveritë për avancimin e reformave dhe duke i forcuar ato ndaj çdo ndikimi të jashtëm keqdashës, si dhe ndihmuar ata të kapërcejnë probleme që i mbajnë larg aspiratave europiane dhe euro-atlantike”, përfundoi Palmer./ATA