Rihapja e “Gërdecit” ka rikthyer shpresën se drejtësia e re do iu rikthehet dosjeve të vjetra. Në vendin tonë kanë ndodhur me dhjetëra ngjarje dhe autorët e vërtetë të tyre nuk janë ndëshkuar.
Kërkesa e SPAK për gjykimin e ish-ministrit Fatmir Mediu ishte sinjal se do të kemi dhe raste të tjera. Një ngjarje ku politika nuk është ndëshkuar është padyshim “21 Janari”, ku humbën jetën 4 persona. Në rastin e Gërdecit u desh vetëm një padi që SPAK të vihej në lëvizje, ndërsa sa i takon “21 Janarit” do të ketë rrugë të tjera. Gazeta kontaktoi dje me avokatin Dorian Matlia, i cili ka përfaqësuar në gjykatë si familjarët e viktimave të Gërdecit, ashtu edhe ata të “21 Janarit”.
Ai ka rrëfyes se si mund të shkohet te rihapja e “21 Janarit”. Sipas avokatit, së pari është Strasburgu. Në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut ka një padi nga familjarët e Aleks Nikës, për rastin e të cilit prokuroria dështoi dhe nuk e gjeti dot se kush e qëlloi. Nëse Strasburgu e pranon kërkesën, atëherë SPAK është i detyruar të hapë “21 Janarin”. Elementi i dytë është se familjarët e viktimave kanë arritur një marrëveshje me shtetin shqiptar po në Strasburg, ku qeveria bie dakord se do të punojë për rihapjen e çështjes.
Në janar të këtij viti u bë me dije se policia ka kërkuar nga Prokuroria e Tiranës rihetim për dy vrasjet që janë pa autorë. Nëse ka zhvillime, atëherë mund të ngrihen akuza për emra të rinj. “Sa i takon dosjes së “21 Janarit” u çuan në gjykatë të gjithë ata persona për të cilët kishte një hetim për këtë ngjarje të rëndë. Pra, mes “21 Janarit” dhe “Gërdecit” kemi dy çështje të ndryshme. Kjo pasi për “Gërdecin” ish-ministri Mediu nuk është gjykuar kurrë dhe nga kjo pikëpamje familjarët kanë bërë padi.
Është ndryshe të kërkosh një rigjykim dhe ndryshe të kërkosh thjesht gjykimin aty ku është lënë. Pastaj në të dy rastet familjarët e viktimave janë ankuar në Gjykatën e Strasburgut dhe nëse do të vijë një vendim pozitiv nga Strasburgu, atëherë kjo do të shërbente për rihapjen e çështjes së “21 Janarit”. Pra, rasti i “21 Janarit” është mbyllur me marrëveshje, pasi e ka marrë përsipër qeveria shqiptare ta rihapë si çështje. Po nuk e rihapi qeveria do e çojnë prapë në Strasburg familjarët çështjen”, tha avokati Dorian Matlia për gazetën “SOT”.
Reagojnë familjarët
Në të njëjtën linjë me avokatin, janë edhe familjarët e viktimave të “21 Janarit”. Gazeta kontaktoi me Mark Nikën, xhaxhin e të ndjerit Aleks Nika. Edhe ai ka deklaruar se sytë tashmë janë nga Strasburgu, pasi ata i janë drejtuar gjykatës dhe presin një vendim që mund të sjellë rihetimin e çështjes. “Ne si familjarë të viktimave të “21 Janarit”, ku mbetën të vrarë 4 qytetarë të pafajshëm gjatë protestës së opozitës së kohës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kemi bërë një padi në Gjykatën e Strasburgut.
Dhe mesa kemi informacion çështja jonë është në shqyrtim në Strasburg. Por paralelisht edhe në Shqipëri nëpërmjet Prokurorisë së Tiranës dhe Policisë së Shtetit po bëhen veprime. Jam i bindur se së shpejti kjo dosje të rihapet dhe do të jetë kompetencë e SPAK, pasi “21 Janari” është krim shtetëror. Kjo dosje dhe ngjarje ka ndjeshmëri të madhe dhe ne si familjarë të viktimave të “21 Janarit” do i shkojmë deri në fund çështjes dhe duam të zbardhet si dosje”, tha Mark Nika.
Ndëshkimi i Berishës
Më tej Mark Nika shprehet se përgjegjësi i vrasjeve të “21 Janarit” është ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, ai duhet të ndëshkohet, bashkë me vartësit e tij. “Pa u zbardhur “21 Janari” nuk do të ketë qetësi dhe drejtësi në Shqipëri. Ata që na vranë në 21 janar të vitit 2011 janë kthyer edhe deputetë përsëri në Parlamentin e Shqipërisë.
Sali Berisha me ministrat e tij janë urdhëruesit e vrasjeve dhe duhet të përgjigjen para drejtësisë për vrasjet e 21 Janarit 2011”, tha ai. Nika u ndal dhe te disa deklarata të ish-kreut të Gardës Ndrea Prendi. Sipas tij, ai ka shpifur dhe po tenton të manipulojë dosjen./Nga Kliti Topalli