Pas përfundimit të takimit me naftëtarët ku qeveria u ka garantuar për një vit paga prej 40 mijë lekësh 870 naftëtarëve, ka reaguar kryeministri Edi Rama.
Rama thotë se marrëveshja u prit me mjaft pozitivitet nga naftëtarët teksa thekson se u është dhënë kohë tashmë atyre të marrin frymë lirisht.
“Kënaqësi që, çka ne kemi dhënë si mbështetje për 870 naftëtarë dhe punonjës të rafinerisë është pritur me shumë pozitivitet nga ana e tyre, natyrisht që në këtë kohë kaq të vështirë kur duhet të kalkulojmë çdo ditë çdo gjë për shkak të COVID-it, nuk është e lehtë, por jemi të bindur që kemi bërë gjënë e duhur, duke vendosur një pagë prej 55 mijë lekësh bruto, pra 40 mijë lekësh neto për 12 muaj në mënyrë që këta njerëz të kenë sigurime shëndetësore e shoqërore dhe garancinë për situatën e vështirë të krijuar,” – tha Rama për mediat.
Në fjalën e tij Rama u zotua se rafineria do të rindizet, pasi qeveria tashmë ka kontakt me 3 kompani të rëndësishme dhe serioze.