Pas marrëveshjes me ILDKPI për fshehjen e pasurisë nga zyrtarët, prokuroria angazhohet për të luftuar edhe pastrimin e parave. Pak kohë më parë u arrit një pakt me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Financave, ndërsa gazeta ka siguruar marrëveshjen e plotë.
Në marrëveshjen e firmosur mes kryeprokurorit Olsian Çela, ministres së Financave Anila Denaj dhe ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj janë bërë të qarta fushat e veprimit të institucioneve. Kështu, në nenin 4 të marrëveshjes theksohet se Prokuroria e Përgjithshme do të nxjerrë një udhëzim të përgjithshëm për të luftuar pastrimin e parave dhe krimin financiar.
Po ashtu, do të jetë prokuroria ajo e cila do riorganizojë seksione të posaçme vetëm për të luftuar këtë fenomen si dhe do të caktohen prokurorë për të ndjekur vetëm këtë çështje. “Prokuroria e Përgjithshme do të nxjerrë një udhëzim të përgjithshëm “Për masat administrative dhe procedurale për rritjen e efektivitetit në luftën kundër pastrimit parave, krimeve financiare, financimit të terrorizmit dhe hetimet pasurore në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm” për të normuar ndërmjet të tjerave:
Mënyrën e riorganizimit të seksioneve të posaçme kundër pastrimit të parave, krimeve financiare, financimit të terrorizmit dhe hetimeve pasurore në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier, Vlorë, Korçë, si dhe përcaktimin e prokurorëve që do të ndjekin rastet/çështjet në këtë fushë në prokuroritë ku nuk do të ketë seksione të posaçme”, thuhet në marrëveshje.
Ja kontributi i Ministrisë së Brendshme
Në marrëveshjen e siguruar nga gazeta bëhen të ditur edhe kontributin që do të japë Ministria e Brendshme në luftën kundër pastrimit të parave. Kështu, Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Pasurive të Sekuestruara duhet të sigurojnë një strukturë hetimore, e cila me delegimin e prokurorit do të vijojë hetimet për pasuri të caktuara të cilat mund të jenë vënë në mënyrë jo të ligjshme.
“Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara sigurojnë që struktura hetimore përkatëse që ka ndjekur një hetim të veçantë, kur autorizohet/delegohet nga prokurori të vazhdojnë hetimin, ushtron funksionet sipas ligjit dhe ndihmon me mjetet logjistike përkatëse në kërkimin, sigurimin dhe administrimin e provave deri në përfundim të gjykimit t çështjes, në funksion dhe të sigurisë fizike të prokurorit në seancat gjyqësore dhe jashtë saj.
Nxjerrjen e një akti nënligjor “Për masat administrative, për rritjen e efektivitetit në luftën kundër pastrimit parave, krimeve financiare, financimit të terrorizmit dhe sekuestrimin e aseteve kriminale, në strukturat e posaçme të shërbimeve të policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit” për të normuar punën në zbatim të këtij Memorandumi, brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i tij”, thuhet në marrëveshje.
Ja kontributi i Drejtorisë së Pastrimit të Parave
Ndërsa Drejtoria e Pastrimit të Parave duhet të informacione të sakta dhe të konstatojë kur ka vepër penale të pastrimit të parave dhe t’iu dërgohet për hetim të thelluar strukturave hetimore.
“Administroj informacione të inicuara nga shërbime inteligjente, sa më plota dhe të verifikuara me të dhëna apo indicie për vepra penale pastrimi i parave, krimet financiare dhe financimi i terrorizmit, të kryera brenda ose jashtë vendit, të cilët dërgohen për vlerësim në strukturat hetimore përkatëse në Policinë e Shtetit dhe/ose në seksionet e posaçme në prokurori, me synim inicimin e hetimeve proaktive dhe/ose kryerjen e veprimeve hetimore për administrimin e provave të nevojshme dhe/ose sekuestrimin e aseteve të veprimtarisë kriminale; Mbledhë dhe administrojë raportimet javore/periodike të përcjella nga PP, DPPSH, si dhe çdo të dhënë/dokument tjetër në funksion të tyre”, thuhet në marrëveshje.