Pavlina Mani lindi në qytetin e Lushnjes, më 13 nëntor 1948. Pas aktivizimit në ‘Lëvizjen Amatore’ dhe estradën e qytetit, më 1967 shkon për studime në “Institutin e Lartë të Arteve”, dega ‘dramë’.
Diplomohet më 1970 dhe emërohet aktore në Teatrin Popullor. Që në kohën kur ishte studente, znj. Mani luajti rolin e Larisës në dramën “Vajza pa prikë” nga N. Ostrovski, rol i cili shfaqi talentin dhe anë të rëndësishme të natyrës së saj aktoriale.
Shkëlqeu në rolin e Olivias në komedinë “Nata e dymbëdhjetë” të Shekspirit (1982), dhe atë të Ledi Milfordit, gruas ambicioze dhe të pamëshirshme, në dramën “Luiza Miler” (Intrigë e dashuri) të F. Shilerit (1979). Ajo spikati gjithashtu dhe në shfaqjet: “Hijet e natës”, “Përmbytja e madhe”, “Monserati”, “Kush e solli Doruntinën”, “Romeo dhe Zhuljeta”, “Vizita e inspektorit”, “Rikardi III” etj.
Znj. Mani ‘devijoi’ nga profili i saj interpretativ, kur provoi të luante role në komedi. E nisi me “Një nuse për Stasin”, por suksesin e arriti me komedinë e paharrueshme “Pallati 176” të Adelina Balashit.
Pavlina Mani ka luajtur gjithashtu në 13 filma artistike, ku spikati me rolin e zonjës Lulushe te “Pas vdekjes “(1980), kurse me rolin e nënës te “Bolero” (1977) u vlerësua si “Aktorja më e mirë” në Festivalin e Saint-Ettienit, në Francë.
Znj. Mani mabn titullin e lartë “Artiste e merituar”. Që prej vitit 2000, ajo jeton në Sh.B.A me bashkëshortin e saj, njëkohësisht, ikonën e Teatrit Kombëtar, z. Piro Mani./Na Ishte Dikur