Partia Demokratike ka nisur të përgatitë terrenin për t’u distancuar nga ish-kryeministri Sali Berisha në shtator.
Amerikanët para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit në mënyrë sistematike i ushtruan presion diplomatik kreu të PD, Lulzim Basha, duke i kërkuar që të mos kandidonte për deputet ish-kryeministrin Berisha.
Por pavarësisht këtyre presioneve dhe mesazheve të koduara, Berisha arriti të ishte pjesë e garës, ndërkohë që sot që flasim ai ka kostumin e deputetit të zgjedhur në qarkun e Tiranës. Mirëpo, kjo “ambicie” e Berishës nuk është pritur mirë nga Uashington, i cili dy muaj më parë e shpalli “non grata” Berishën dhe familjen e tij, pasi e akuzon si të përfshirë në korrupsion dhe pengim të demokracisë.
PD nis të distancohet nga Berisha
Por sidoqoftë, ky entuziazëm i Sali Berishës pritet të tretet, pasi Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për t’u distancuar nga ish-lideri demokrat. Ditët e fundit Basha ka nxjerrë njerëz pranë tij për të sulmuar Berishën dhe për t’i dërguar mesazh se ai nuk ka punë në PD.
Festivalin e personazheve që kanë nxjerrë “shpatat nga këllëfi” për të sulmuar Berishën, e ka hapur deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Mark Marku, i cili thuajse dy herë në ditë akuzon Sali Berishën se shkatërroi PD-në dhe se ai duhet të largohet nga skena politike, pasi e ka mbushur kupën dhe s’ka çfarë t’i japë më këtij vendi.
Po ashtu, zoti Marku ka kërkuar që Berisha të largohet nga politika, pasi sipas tij, protagonizmi i shtuar dëmton liderin e PD, Lulzim Basha.
Ndërkohë edhe anëtari i “Grupit për PD”, Bislim Ahmetaj është shprehur hapur që është kundër Berishës në politikë, ndërsa theksoi se ka ardhur koha që ish-kryeministri të kujdeset për nipërit dhe mbesat dhe jo të merret me politikë.
Sakaq edhe një tjetër emër afër Bashës, ka kërkuar largimin e Berishës nga politika. Bëhet fjalë për anëtarin e Këshillit Kombëtar të PD, Agim Baçi, i cili akuzoi Berishën se ka penguar debatin real në parti dhe se sipas tij, qenia aktiv në politikë eklipson Bashën.
Gjithashtu, zoti Basha ka përdorur edhe deputetin e zgjedhur të PD, Agron Gjekmarkaj, për të kërkuar largimin e Berishës nga partia dhe politika. Zoti Gjekmarkaj ka bërë një analizë të gjatë, ndërsa mesa të tjerash thekson se mbështet fuqishëm Mark Markun.
Basha i vendosur për të ruajtur marrëdhëniet me SHBA
Megjithatë nga ana tjetër edhe analistët politikë duket se janë rreshtuar kundër Berishës. Njëri prej tyre është analisti Ben Andoni, i cili dje paralajmëroi se në shtator PD do të distancohet nga Sali Berisha. Po ashtu, edhe analisti Dritan Hila shprehet se ka ardhur koha që Berisha të largohet dhe pensionohet politikisht.
Pra, të gjitha këto lëvizje dhe këta zëra kundër Berishës, tregojnë qartë se Basha po përgatit terrenin për t’u distancuar nga Berisha. Kështu që, siç mësoi edhe gazeta nga burimet nga selia blu, kjo është një strategji e mirëmenduar nga zoti Basha, i cili përmes të vetëve kërkon largimin e Sali Berishës, pasi atij i intereson dhe madje është i vendosur për të ruajtur marrëdhëniet me amerikanët. /Rigels Saliman