Opozita duket se ka bërë gati terrenin për d.hunë e kaos më 8 qershor. PD e LSI do të protestojnë dhe nga dita në ditë jepen sinjale se do ketë përplasje të forta. Dje është rindezur debati për blerjen e votave, pasi gazeta gjermane “Bild” ka nxjerrë disa përgjime nga dosja 339 duke akuzuar kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako për blerje votash. Një gjë e tillë u paralajmërua që të martën në mbrëmje, ku u deklarua nga gazetari i “Bild” se do nxjerrë prova ku Dako e Rama kanë blerë vota.
Dje dolën përgjimet në versionin audio, por u duk qartë se kemi të bëjmë me të njëjtën situatë të krijuar dhe kur u publikuan po disa përgjime nga “Zëri i Amerikës”. Në asnjë moment kryebashkiaku i Durrësit nuk del të ketë shkelur ligjin dhe të flasë për blerje votash. Por përtej kësaj, shumë dyshime ka dalja e përgjimeve. “Bild” nxori përgjimet e prokurorisë fiks gjatë vizitës së kreut demokrat Lulzim Basha në Berlin.
A ishte Basha ai që dorëzoi disqet te “Bild”? Kjo është pyetja që shtrohet pas nxjerrjes së të dhënave. Një tjetër element është që sapo dolën përgjimet, të gjitha mediat pranë PD-LSI i kishin të zbardhura bisedat. Kush jua dha transkriptin e bisedave, i cili është identik te të gjitha, si në shqip, edhe në anglisht? Dyshimet janë se kemi të bëjmë sërish me një lojë të PD, e cila po luan çdo gur për të marrë pushtetin me d.hunë.
Burime shumë të sigurta të gazetës thanë se dalja e përgjimeve është një strategji e mirëmenduar në disa aspekte. Së pari, po përgatitet terreni për protestat e ditëve në vijim dhe sidomos ajo e 8 qershorit. PD-LSI pritet të shkaktojnë trazira dhe do përdorin si justifikim këto përgjime, për të deklaruar se zgjedhjet janë blerë dhe Rama duhet të largohet.
Po ashtu, publikimi i tyre nga “Bild” tregon se PD dëshiron ta bëjë sa më ndërkombëtare këtë çështje, duke qenë se SHBA e BE i kanë vënë vizën dhe nuk tolerojnë asnjë skenar destabilizues. Fakti që përgjimet dolën gjatë kohës që Basha ishte në Berlin dhe emra si Kryemadhi dhe deputetë të PD e paralajmëruan prej javësh se do dalin të tjera fakte, tregon qartë se është dorë e opozitës.
Përmbajtja e përgjimeve
“Bild” ka publikuar 6 përgjime, ku Astrit Avdylaj, kreu i grupit të arrestuar në operacionin “Volvo 4” komunikon me disa individë. Në përgjimin e parë ai flet me Ivo Doçin, përgjegjësin e Ujësjellësit në Shijak, ku realisht flitet për zgjedhje. Avdylaj i kërkon atij emrat e punonjësve që votojnë për PD.
Askush nuk e justifikon faktin që një person me precedent merret me sigurime votash, por nuk figuron në asnjë moment Vangjush Dako që të bëjë pazare, sikundër pretendon gazetari i “Bild” apo PD-LSI. Në përgjimin e dytë Avdylaj flet me kryebashkiakun e Shijakut, Ardian Kokomani. Në këtë bisedë ai e fton për kafe dhe një takim dhe nuk ka asgjë antiligjore apo për trukim zgjedhjesh.
Në përgjimin e tretë, Avdylaj flet me vëllanë e deputetit të PS, Ilir Dranzhi. Në këtë bisedë flitet për mbështetje elektorale ndaj zotit Dranzhi, por nuk përmendet blerja e votave. Në përgjimin e radhës, Avdylaj flet me Elton Arbanan, i cili ishte kandidat i PS në Shijak. Këtij të fundit i kërkon të ndërhyjë te INUK për punë gjobash, por edhe aty nuk flitet për zgjedhje.
Përgjimi i pestë është një bisedë e Avdylajt me vetë Dakon, ku po ashtu nuk përmendet vota, ndryshe nga sa pretendohet. Në përgjimin e gjashtë Avdylaj flet me një të njohurin e tij, ku i kërkon që të votojë për PS. Nga biseda kuptohet që njihen dhe nuk përmenden para, manipulime apo vjedhje votash.
Gazetari i “Bild” deklaroi të martën se në përgjime del dhe Rama, por i vetmi moment është ku del se Rama ishte takuar me Dakon. Pra duket qartë se është një skemë e mirëmenduar PD-LSI për të bërë gati terrenin e përplasjes civile./Kliti Topalli