Përfundon Samiti i Sofjes, ngrihet Tregu i Përbashkët Rajonal, Bregu: Nga sot nis një fazë e re e integrimit ekonomik rajonal
Paraditen e sotme u zhvillua Samiti i Sofjes, si pjesë e Procesit të Berlinit, nën bashkë-drejtimin e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në këtë samit, i cili u mbajt online morën pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor, mes të cilëve Edi Rama dhe Avdullah Hoti, si dhe kancelarja Merkel, presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, presidenti Macron, kryeministri Conte, Mitsotakis, Plenkovic, Borissov, Komisioneri Varhelyi etj.
Mësohet se dy dokumentet kryesore që u miratuan sot në samit ishin ngritja e Tregut të Përbashkët Rajonal të cilat janë hartuar nga Këshilli Bashkëpunimit Rajonal (RCC) që përfshin Shqipërinë, Bosnjë & Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, synon të krijojë një rajon më konkurrues, më tërheqës dhe më afër tregjeve të BE-së.
Në këtë samit, e pranishme ishte edhe Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Përbashkët Rajonal e cila theksoi se zhvillimi i Tregut të Përbashkët Rajonal nuk ishte një udhëtim i thjeshtë, por ia vlejti mundimi.
“Një fazë e re e integrimit ekonomik rajonal do të fillojë nga sot me miratimin nga udhëheqësit e BP6 të CRM dhe Green Agenda (Axhendës së Gjelbër) të lehtësuar nga RCC. Në emër të RCC, unë jam e nderuar, për pjesën e punës që bëmë në formësimin e këtij dokumenti.
Zhvillimi i Tregut të Përbashkët Rajonal nuk ishte një udhëtim i thjeshtë, por ia vlejti mundimi. Ai është një plan i bazuar në katër liritë, sikundër Tregu i Vetëm i BE-së, i forcuar me Investime, Digjitale, Industri dhe Inovacion. Qeveritë e BP6 janë autorët dhe ata që do e bëjnë realitet Tregun e Përbashkët Rajonal.
Plan fuqizon lëvizjen e lirë të njerëzve në rajon, i mundëson komunitetit të biznesit të provojë potencialin e një Tregu të Përbashkët të bazuar në modelin e Tregut të Vetëm të BE-së, aftësimin e krahut të punës sipas tendencave të tregut të punës, zhvillimin digjital dhe inovacionin,” tha Znj. Bregu.
Procesi i Berlinit, u inicua nga Kancelarja Merkel në 2014, si një instrument për të nxitur bashkëpunimin rajonal, fuqizimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor (BP) si dhe për të mbështetur vendet në rrugëtimin drejt integrimin europian.