Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar ditën e djeshme në lidhje me riregjistrimin e targave të makinave serbe me RKS. Me anë të një njoftimi për mediat, DASH shkruan se janë të zhgënjyera që Kosova nuk pranon që të shtyjë afatin, ndërkohë që ka shprehur dhe shqetësimin për agravimin e situatës.
Po ashtu ata kanë theksuar se është e rëndësishme që të vazhdohet dialogu mes dy palëve dhe të reduktohet retorika nxitëse për konflikte. “Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke. Është e rëndësishme që të dyja palët të reduktojnë retorikën nxitëse dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të demonstruar angazhimin e tyre për bashkëpunim konstruktiv për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për rajonin,” thuhet në reagimin e DASH.
Plani i Kurtit
Reagimi i DASH erdhi pasi qeveria e Kosovës ka shpalosur dje një plan për çështjen e targave që lëshohen nga Serbia, që do të zbatohet në disa faza. Plani parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës. “Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit.
Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor. Kryeministri tha se qytetarët në veri deri më 31 mars do të mund të përfitojnë lehtësirat tatimore pasi të riregjistrojnë makinat e tyre në RKS. I pyetur se nëse ky vendim nënkupton shtyrje të afatit për targa ai tha se Kosova nuk e ka shtyrë zbatimin e vendimit, por “ne e kemi përshkallëzuar dhe sekuencuar atë”.
Frika për trazira
Kurti përsëriti se targat me akronimet serbe për qytetet e Kosovës janë ilegale. Teksa kryeministri duket i vendosur për të mos u tërhequr nga afati për targat, serbët kanë paralajmëruar trazira dhe bllokime rrugësh. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, kërcënoi trazira nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe. Serbët ishin zotuar të bllokonin vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore dhe vetë presidenti Vuçiç kishte kërcënuar me ‘rezistencë të popullit’.
Afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia skadon më 31 tetor dhe Qeveria tha se me këtë vendim të ri ajo po tregon seriozitet për të zbatuar vendimin që ka marrë, por “në të njëjtën kohë që t’u japim shans atyre që janë të interesuar të integrohen”. Shefi i Qeverisë së Kosovës tha se për planin e ri për targat i ka informuar edhe përfaqësuesit e QUINT-it, me të cilët ka biseduar para mbledhjes së Qeverisë. Pavarësisht se tha që ata fillimisht i kërkuan që të shtynte afatin për riregjistrim, me të dëgjuar për vendimin e ri, thanë se do të tregojnë mendimin e tyre pasi të jenë konsultuar me kryeqendrat e tyre.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që Kosova të shtyjë afatin për targat për dhjetë muaj. Sipas vendimit të mëhershëm të Qeverisë, nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët në veri, që kanë targa të lëshuara nga Serbia, do të mund t’i konvertonin ë ato në RKS- Republika e Kosovës. Pas kësaj date, ekzekutivi kishte thënë paraprakisht se makinave me targa të tilla nuk do të mund të qarkullonin në territorin e shtetit e as të kalonin kufirin.