Nisin tentativat për të zvarritur ngritjen e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritej dje të vendoste nëse do ngrihet apo jo SPAK me 8 prokurorë, por gjithçka ka dështuar. Shkak është bërë prokurori Besnik Cani, i cili kërkoi që të shtyhej mbledhja. Gazeta ka mësuar detajet e plota nga takimi me dyer të mbyllura, i cili ka kaluar jo pa debate.
Fillimisht kryetari Gent Ibrahimi zbardhi axhendën e mbledhjes, ndërsa disa prej anëtarëve propozuan që të shtoheshin si pjesë e diskutimit dhe komandimet apo emërimet e disa prokurorëve, gjë që u pranua. Por sapo do bëhej votimi për secilin emër dhe më pas do diskutohej për SPAK, fjalën e mori anëtari Besnik Cani. Ky i fundit deklaroi se është njohur vetëm ditën e premte pasdite me rendin e ditës dhe sipas tij, një gjë e tillë është antiligjore, pasi ligji përcakton që anëtarët duhet të kenë një javë kohë të njihen me rendin. Edhe pse në rend dite kishte vetëm komandime dhe SPAK ishte te diskutimet e lira, Cani u rebelua, duke u përplasur me kryetarin Ibrahimi. “Lidhur me mbledhjen e sotshme dua tu bëj me dije zoti kryetar, që unë si anëtar i KLP nuk kam marrë njoftim në orarin zyrtar të punës. Emaili që kam konstatuar sot në mëngjes, ka mbërritur te anëtarët e tjerë dhe tek mua në 16:47 të datës 18, ditë e premte.
E shtunë, e diel pushim dhe vetëm sot kam pasur mundësinë të aksesoj këtë mbledhje dhe rend dite që është caktuar dhe të shoh vetëm disa prej akteve që kanë ardhur, jo të gjitha. Unë çmoj zoti kryetar që mbledhja të shtyhet dhe të na jepet afati që na cakton ligji 115, i vitit 2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, neni 164. 7 ditë. E kam debatuar dhe do vijoj ta debatoj se nuk mund të vazhdojnë mbledhjet sot për sot apo sot për nesër. Qoftë komisionet dhe qoftë strukturat le ti shohin afatet dhe le t’i përgatisin mbledhjet siç e thotë ligji. Se ndryshe ligjvënësi do e kishte shkruar që këto janë kompetenca të KLP dhe ju keni diskrecionin t’i zbatoni si të doni. Por ka bërë një përcaktim se si thirret mbledhja e KLP. Në këto rrethana nuk kam pasur mundësi të njihem me këto akte dhe kërkoj shtyrjen e seancës”, tha Cani.
Reagon Ibrahimi
Deklarata e Besnik Canit nuk është pritur aspak mirë nga kryetari i KLP, Gent Ibrahimi. Ky i fundit tregoi se të gjithë anëtarët e tjerë, veç Canit, ishin njohur me rendin pasi ishte diskutuar në një takim që kishin bërë ata në Vlorë. Por ai ka zbuluar se Cani nuk ka shkuar në këtë takim. Sipas Ibrahimit, ai i bojkoton aktivitet e KLP. “Faleminderit zoti Cani. Ndoshta keni të drejtë për këtë çështje. Anëtarët janë informuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për këtë mbledhje gjatë takimit në Vlorë ku ju munguat. Në këtë mënyrë i dhamë vetes lirinë që email-in ta çojmë më vonë se zakonisht. Duke qenë se të gjithë ishim aty dhe e morëm vesh që do mblidheshim sot dhe çfarë do diskutojmë, përveç jush që zgjodhët të mos ishit i pranishëm atje. Megjithatë mbledhjen e deklaroj të mbyllur”, tha Ibrahimi. Më pas kreu i KLP la i pari mbledhjen i revoltuar.
Rreziku i SPAK
Ibrahimi raportoi në Parlament një javë më parë dhe bëri të qartë se shumë shpejt do merret një vendim se si do veprojë KLP. Dje pritej që të vendosej që Prokuroria e Posaçme të nisë punë me 8 prokurorë, por gjithçka dështoi. Por kush është Besnik Cani? Prokurori në fjalë e kaloi me sukses shkallën e parë të vetingut, por kjo nuk u pëlqeu ndërkombëtarëve. ONM kërkoi shkarkimin e tij nga detyra dhe Komisioneri Publik e ankimoi vendimin. Momentalisht çështja është në KPA dhe nuk ka filluar ende shqyrtimi gjyqësor. Por Komisioneri këmbëngul se ka probleme me pasurinë. Në ankim thuhet se për kriterin e pasurisë, nuk ka dhënë prova konkrete dhe shpjegime bindëse lidhur me shpenzimet e kryera për ndërtimin e një banese, ka kryer deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme ndër vite, si dhe rezulton me mungesë të burimeve të ligjshme financiare; Për kriterin e aftësive profesionale kanë rezultuar fakte (marrëdhënia juridiko-civile subjekt – shoqëria “***” sh.p.k.), mangësi të përsëritura dhe modele të papërshtatshme pune, të cilat janë në papajtueshmëri dhe cenojnë figurën dhe etikën e Prokurorit të Republikës. /Kliti Topalli