Zbardhet platforma e presidentit Ilir Meta për rishikimin e reformës në drejtësi. Të enjten u bë e ditur se presidenti Meta që prej datës 8 prill kishte hartuar një platformë me 14 pika për të plotësuar kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian. Mirëpo pas zhurmës së madhe mediatike dhe politike, kreu i shtetit doli në një konferencë për shtyp për ta prezantuar. Por çfarë përmban realisht kjo platformë?
Thelbi kryesor i saj është që politika të vërë nën kontroll sistemin e drejtësisë, ndërsa theksohet se çdo ndryshim ligjor ose kushtetues që lidhet me reformën në drejtësi dhe me çështjet e integrimit duhet të bëhet vetëm përmes dakordësisë të Këshillit Politik. Kjo do të thotë se pjesë e këshillit do të jenë zyrtarët më të lartë të partive kryesore në vend, ndërkohë që duket qartë që platforma e Metës është anti-reformë, pasi politika kërkon të fusë hundët në drejtësi, edhe pse qëllimi i krijimit të reformës në drejtësi ishte që të mbante larg duart e politikanëve nga sistemi i drejtësisë. Po ashtu kërkohet që Parlamentit t’i hiqet e drejta e diskutimeve të ligjeve për reformën dhe t’i bëjnë krerët e PD-PS-LSI.
“Parlamenti shqiptar të tërhiqet nga “paketa anti-shpifje” dhe të frenohet për çdo nismë të ngjashme ligjore në të ardhmen; Çdo ndryshim ligjor ose kushtetues në lidhje me reformën në drejtësi duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik; Në kuadrin e Këshillit Politik, palët të bien dakord brenda qershorit të emërojnë kryenegociator për anëtarësimin në BE, një ekspert të nivelit të lartë, integriteti, besueshmëria dhe profesionalizmi i të cilit është reciprokisht i pranueshëm”, thuhet në platformë. Po ashtu, Meta thekson se në platformë se Parlamenti është i ilegjitim, pasi ka vetëm 122 deputetë. “Duke vërejtur nivelin e papranueshëm të përfaqësimit në Parlamentin shqiptar, dhe përbërjen e tij në mospërputhje me dispozitat kushtetuese”, thuhet në dokument.
Politika të marrë në dorë Kushtetuesen
Më tej, platforma e presidentit Ilir Meta rrezaton qartë se kërkohet zhbërja e Parlamentit dhe politika të marrë në dorë Gjykatën Kushtetuese. Më konkretisht presidenti Meta është kujdesur që përmes kësaj platforme të diktojë punën e Parlamentit, duke i kujtuar këtij të fundit që të tërhiqet nga çdo iniciativë ligjore që ndryshon formatin dhe procedurën e betimit në detyrë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e tjerë të lartë të sistemit gjyqësor. Pra, Meta në një farë mënyre po kërkon që të mos i tkurren kompetencat e tij, në një kohë që mazhoranca ka kërkuar që të bëhet me ligj që gjyqtarët dhe prokurorët të evitojnë betimin tek kreu i shtetit. “Parlamenti shqiptar të tërhiqet dhe të frenohet nga çdo nismë ligjore për ndryshimin e formatit dhe procedurës së betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe funksionarëve të tjerë të lartë të sistemit të drejtësisë; Të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të emërohen në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore dhe sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në dokument. Meta kërkon të marrë në dorë KED
Por interesant është fakti se në platformën me 14 pika të hartuar nga presidenti Ilir Meta, ky i fundit kërkon hapur që të kapë Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, pasi kërkon largimin e Ardian Dvoranit. Më konkretisht në disa pika të kësaj platforme, Meta u imponon organeve të drejtësisë që të shkarkojnë zotin Dvorani. Madje, ai i ka vënë ultimatum KED që të shkarkojë Dvoranin, duke treguar hapur që po ndërhyn në punët e institucioneve të drejtësisë dhe që kërkon të kapë këtë institucion.
“Mandati i kryetarit aktual të KED përfundon në kontekstin e emërimit së fundmi të tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Kryetari aktual i KED menjëherë humbet të gjitha të drejtat për të vazhduar ushtrimin e këtij mandati, tashmë të tejkaluar, si anëtar i Gjykatës së Lartë dhe rrjedhimisht si Kryetar i KED; KED vazhdon të funksionojë sipas ligjit, i kryesuar nga Nënkryetari”, thuhet në platformë./ NGA RIGELS SELIMAN