Avokat Spartak Ngjela ka reaguar për deklatatën për mediat që dha dje ish-kryeministri Sali Berisha , pas shpalljes non-grata nga SHBA.
Berisha deklaroi se do të padisë në Francë Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili ishte i pari që bëri njoftimin e bujshëm në “Twitter”. Ndërkohë do të jetë avokati francez, Jean-yves le Borgne, i cili do të përfaqësojë Berishën në Paris.
Në një intervitë për emisionin ‘Breaking’, Ngjela u shpreh se Berisha ka rënë në logjikë të vogël, pasi kjo është një goditje shumë e rëndë për të.
Sipas tij, çështja nuk ka ndodhur në Francë që të gjykohet aty dhe nuk gjykon dot çështjet e Amerikës.
“Një gjykatë ndërkombëtare duhet të ketë anëtarësi të njohur nga Amerika dhe Shqipëria, ka rregull loje. Berisha tani është nën akuzë e mund të ketë edhe deviacione të intelektit. Personi nën akuzë humbet intelektin.
Ambasadorja Yuri Kim tha me ironi që dinjiteti është që të mos shkelet ligji. Mund të shkonte edhe në heshtje, por Saliu gaboi. Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme vendosin. Është hapur një proces kundër Berishës, të shohim se si do të perceptojnë ngjarjet”, tha Ngjela.
Si e komentoni deklaratën e Berishës se akuzohet nga disa video të montuara në Tiranë në zyrat e Ramës?
-I bie që Sekretari i Shtetit Amerikan drejtohet nga Rama, ky Rama atëherë drejton botën. Ky i jep vlerë Ramës, pasi drejton edhe SHBA kur është fjala për Shqipërinë.
Unë e njoh mirë këtë psikikën e njeriut në akuzë, pasi humbet intelektin. Çdo i akuzuar duhet të ketë mbrojtës në gjyq, pasi nuk e mbron dot veten pasi bie në logjikë fëminore. Ne nuk po arsyetojmë koshiencën e Berishës, po je në akuzë ke humbje intelekti. Mund t’i ndodh çdokujt. Me atë deklaratë Berisha i ka dhënë vlerë të madhe Ramës, por kjo është e pamundur, nuk mundet që sekretari i Shtetit Amerikan të drejtohet nga Rama.