Ashtu sikundër paralajmëruan një ditë më parë, naftëtarët e Ballshit janë mbledhur sot për të protestuar para ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ata deklarojnë se kanë 27 paga mujore pa marrë dhe 11 muaj pa punë, ndërsa gjendja e tyre ekonomike është e vështirë.
Naftëtarët deklarojnë se protestat dhe manifestimet kanë rënë në vesh të shurdhër dhe se situata tashmë është bërë e padurueshme.
Por ndërsa naftëtarët janë mbledhur për të protestuar, forca të policisë kanë ndërhyrë për të mos lejuar mbajtjen e protestës, për shkak të pandemisë së COVID-19.
Ndërsa gjatë protestës, një protestues që i është bashkuar kauzës së naftëtarëve të Ballshit humbi ndjenjat.
Të riut i ka rënë të fikët ndërsa protestuesit kanë nxituar t’i japin menjëherë ndihmën e parë.
Ndërkohë protestuesit kanë tentuar të hyjnë në ambientet e MIE pasi kërkojnë me çdo kusht zgjidhje.
Nga ana tjetër policia shpërndau turmën, për shkak të masave parandaluese Covid-19.