Ilir Meta duket se ka marrë rolin e prokurorit. Pas tentativave për të kapur drejtësinë, presidenti Meta është shfaqur dje edhe në rolin e hetuesit. Kreu i shtetit ka dalë ditën e djeshme në konferencën për shtyp, ku ka bërë bilancin javor të zhvillimeve politike në vend, ndërsa ka komentuar faktin që Shqipëria është kthyer në trampolinë për trafikun e emigrantëve nga Lindja e Mesme.
Gjatë fjalës së tij, zoti Meta ka dhënë lajmin se Presidenca ka nisur hetimet për trafikun e arabëve në Shqipëri, ndërkohë që premtoi se do të japë një konkluzion sapo hetimet të kenë përfunduar. “Për momentin po bëjmë një investigim dhe disa shqetësime të tjera përveç grupit në fjalë. Ka disa shqetësime edhe nga qytetarë në zona të caktuara. Po bashkëpunojmë me institucione, partnerë, për të arritur në disa konkluzione më të sakta për fenomenin në nivel vendi.
Sa i takon ndonjë hapi tjetër do u njoftojmë”, deklaroi ai. Kujtojmë që, emigrantët nga Lindja e Mesme janë kthyer në shqetësim për jetën sociale dhe institucionet vendase, ndërsa pak ditë më parë u bë publike edhe zbulimi i disa prej skandaleve brenda radhëve të policisë mbi trafikun e klandestinëve, ku u ndalua dhe Drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Kufirit e Migracionit së bashku me 3 zyrtarë të tjerë.
Por fakti që presidenti Ilir Meta ka bërë me dije se institucioni i Presidencës po bën një investigim, tregon qartë se kreu i shtetit po merr rolin e prokurorit.
Shkarkimi i Dvoranit
Duke komentuar vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për përfundimin e mandatit të Ardian Dvoranit si pjesë e Gjykatës së Lartë, por edhe nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, presidenti Ilir Meta u shpreh se ky vendim duhet përshëndetur. Megjithatë, i qartë dhe i entuziazmuar, pasi bëhej fjalë për një personazh me të cilin ai është në “luftë”, presidenti Meta theksoi se vendimi për shkarkimin e Dvoranit ishte pozitiv, por që sipas tij, duhet të kishte ndodhur më përpara.
“Mendoj se qëndrimi i presidentit ka qenë shumë i qartë dhe qëndrimi i Kushtetutës, qysh në momentin e dekretimit të anëtarit të parë të Gjykatë së Lartë. Mendoj se vendimi i djeshëm ishte një vendim i vonuar, por sidoqoftë është pozitiv si një mundësi për të ruajtur integritetin e institucioneve të reja të drejtësisë. Legjitimiteti me Kushtetutën është i rëndësishëm.
Vendimtare ka qenë dhe mbetet respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve”, u shpreh ai. I pyetur nëse shkarkimi i Dvoranit vjen si dhuratë për të në ditëlindjen e 29-të të Partisë Socialiste, duke qenë se ai ka qenë një socialist i vjetër, presidenti Ilir Meta e mohoi një gjë të tillë. “Nëse do të ishte kështu, i bie të pranosh që ky institucion është i kapur.
Kjo çështje jo vetëm që është zgjidhur përpara 6 vitesh, por është shuar në çdo aspekt, edhe të karakterit më të thjeshtë me dekretin e parë të firmosur nga Presidenti për emërimin e anëtarit të parë të Gjykatës së Lartë”, tha ai.
Zgjedhjet parlamentare dhe vendore
Por i pyetur nëse bashkë me zgjedhjet e përgjithshme vitin e ardhshëm do të dekretojë edhe datën për zgjedhjet lokale, presidenti Ilir Meta u shpreh se kjo është dëshira e tij, ndërsa shtoi se do të respektojë Kushtetutën, duke dekretuar vetëm ato parlamentare.
“Për dekretin e zgjedhjeve të përgjithshme apo lokale, pyetja është interesante, por përgjigja është e qartë, presidenti do të veprojë në raport me Kushtetutën dhe jo si do të dëshironte të vepronte me logjikën normale, të ngjarjeve apo zhvillimeve. Për mua si president zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore duhet të ishin mbajtur dje.
Do të jem i vëmendshëm për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese”, deklaroi ai. Ndërkohë, i pyetur se përse nuk po dekreton zgjedhjet në bashkitë, ky kryetarët janë larguar si të prekur nga dekriminalizimi, Meta u shpreh se pret të flasë Gjykata Kushtetuese. “Kam qenë dhe jam tepër i saktë, unë veproj në raport me Kushtetutën, nuk kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese mbi legjitimitetin e zgjedhjeve të fundit vendore”, nënvizoi Meta./ RIGELS SELIMAN