Nga Ilir Mborja
Presidenti nuk është as simbol, as simbol kombëtar dhe as simbol i unitetit kombëtar. As Shkëlqesia e Tij, Z. Ilir Meta, si çdo president në botë nuk është i tillë.
Pavarësisht nga mendimi i mirë që shprehu për vetem nga fundi i emisionit të Çim Pekës në mbrëmjen e datës 12 tetor 2020, (tek kanali “syri.net”) përballë gazetarëve Mentor Nazarko e Enton Abilekaj), kur deklaroi se: “Presidenti është simbol i unitetit kombëtar”, as është dhe as mund të jetë i tillë…
Si një filolog modest dhe ish mësues fshati, Atij dhe të tjerëve që mendojnë se “Presidenti (kushdo qoftë) është simbol…”, detyrohem t’u shpjegoj se: Nuk është aspak e vërtetë që Presidenti është simbol i unitetit kombëtar…
Nuk është e vërtetë, thjesht për arsyen (e dhimbshme), se çdo president është njeri dhe, si i tillë, siç ka datë lindjeje, (fatkeqsisht) do të ketë edhe një datë vdekjeje…
Kështu, edhe Sh.T. Z. Ilir Meta, si çdo njeri në këtë dynja, është një vdekatar si gjithë gjallesat e tjera mbi Tokë…
Ndërsa simbolet janë të përjetëshme.
Ruajtja e unitetit kombëtar është mision dhe detyrim kushtetues i presidentit. Në rastin tonë edhe për Sh.T.Z. Ilir Meta. Pra, tjetër gjë është detyrimi ligjor dhe (krejt) tjetër gjë është simboli.
Me këtë rast, Ju lutem pranoni shpjegimin tim për diçka elementare: simbole kombëtare janë vetëm flamuri dhe gjuha. Vdekatarët nuk mund të jenë kurrë simbole.