Kryeministri Edi Rama pritet të prezantojë sot një tjetër dritare dialogu online, për të gjithë qytetarët që kanë shqetësime konkrete.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp dje me ambasadoren e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, Rama u shpreh se studentët janë përballur me presion dhe bullizim, si në hapësirën online, ashtu edhe jashtë saj.
Për këtë arsye 3 grupe studentësh janë tërhequr nga takimet me të, sipas Ramës. Ndër të tjera kreu i qeverisë theksoi se dorëheqja nuk imponohet nga rruga.
“Nesër do të ndezim një tjetër dritare dialogu, që u ofrohet atyre që duan të ndërveprojnë me mua dhe qeverinë. Studentë që kërcënohen nga pseudo-studentë që shfaqen në dyert e auditorëve dhe u çojnë mesazhe të ndryshme atyre që mendojnë ndryshe. Tre grupe studentësh janë kthyer mbrapsht me dhunë, online dhe offline, në përpjekjet e tyre për të ardhur në takim me mua, pa kamera, pa foto, thjesht për të biseduar. Tre grupe studentësh, me emra dhe mbiemra. Pastaj të bullizuar në ekstrem”, deklaroi Rama.


