Mazhoranca duket se i ka lidhur duart presidentit Ilir Meta me ligjin e ri. Dje ka përfunduar puna për ligjin organik për institucionin e presidentit dhe tashmë do të nisë diskutimi në Parlament. Gazeta ka siguruar draftin e plotë, i cili ka shumë risi.
Por ajo që bie në sy është se mazhoranca është kujdesur në detaje për të mos lënë asnjë hapësirë që të shfrytëzohet nga presidenti për të goditur PS. Meta prej disa ditësh po kërcënon me shpërndarje Parlamenti. Sa herë tensionohet situata ai përmend 2 marsin dhe i dërgon mesazhe PS.
Por me ndryshimet në ligj, mazhoranca blindon Kuvendin dhe nuk e lejon Metën të ndërmarrë një akt të tillë. Në nenin 19 të ligjit tregohen raste se kur ka të drejtë Presidenti të shpërndajë Parlamentin, por në asnjë moment nuk lejohet ta bëjë këtë në raste të tjera, sikundër është rasti i numri të ulët të deputetëve siç jemi tani.
Sipas ligjit kemi vetëm dy raste: Kur Kryeministri nuk siguron votëbesimin pas zgjedhjeve dhe kur ndaj tij ka mocion mosbesimi. “Shpërndarja e Kuvendit bëhet nga Presidenti i Republikës me dekret në rastet kur Kuvendi nuk arrin të miratojë në dy raunde Kryeministrat e emëruar dhe as të zgjedhë vetë Kryeministër tjetër, si dhe në rastin kur Kryeministri humbet mocionin e besimit dhe i kërkon Presidentit të Republikës që të shpërndajë Kuvendin.
Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin, sipas rastit, brenda 10 ditëve nga data e votimit pa sukses në Kuvend për zgjedhjen e Kryeministrit, apo nga kalimi i afatit 10 ditor për zgjedhjen e Kryeministrit nga Kuvendi, ose brenda 10 ditëve nga data që merr kërkesën e Kryeministrit për shpërndarjen e Kuvendit”, thuhet aty.
Qeveria e re
Në qarqet e opozitës dhe shumë media të LSI kanë dhënë sinjale se Meta mund të mos dekretojë qeverinë e re që do të dalë më 25 prill, nëse zgjedhjet fitohen nga PS. Edhe mazhoranca i druhet kësaj gjëje dhe për këtë arsye ka hartuar një nen të gjatë që nuk i lë shteg presidentit të ndërmarrë një veprim të tillë. Nëse presidenti nuk e dekreton kryeministrin e ri, sipas ligjit ai emërohet nga Parlamenti.
“Emërimi pasues i Kryeministrit bëhet në rastet kur Kryeministri zgjidhet nga Kuvendi pas përfundimit pa sukses të procedurave për miratimin e Kryeministrit të emëruar, kur zgjidhet për shkak të mosushtrimit nga Presidenti i Republikës të kompetencës për emërim ose të moszbatimit të procedurës së emërimit, si dhe kur zgjidhet me mocion mosbesimi”, thuhet aty.
Por një tjetër element interesant është se do të ndryshojë procedura e formimit të qeverisë. Duke qenë se u hoqën koalicionet, PS ka parashikuar një rrugë të re. Nëse askush nga partitë apo koalicionet nuk kanë 71 mandate zyrtarisht, atëherë të drejtën për të formuar qeverinë e ka partia me më shumë vota.
Duke qenë se kemi shumë parti të reja dhe emra të rinj në zgjedhje, nuk është çudi që PS të mos sigurojë 71 mandate, por as PD me LSI. Për këtë arsye do nisin konsultimet për të krijuar aleanca. “Në rast se përfaqësuesit e partive politike nuk i japin mbështetjen e mjaftueshme asnjë kandidati të mundshëm, atëherë Presidenti i Republikës emëron Kryeministër dhe dërgon për miratim kandidatin e partisë që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend”, thuhet më tej.
Shkarkimi
Mazhoranca nis një proces shkarkimi ndaj presidentit, por në fund dështoi. Argumentet ishin se Meta ka bërë shkelje, por jo të rënda. Në ligj është detajuar se kur shkarkohet presidenti dhe përcaktohet se kur kemi të bëjmë me shkelje të rëndë. “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet nga Kuvendi për shkelje të rëndë të Kushtetutës apo për kryerjen e një krimit të rëndë.
Përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës shkeljet e përcaktuara si të tilla nga ky ligj, si dhe çdo shkelje tjetër që cenon rëndë rendin kushtetues dhe funksionimin e rregullt të pushteteve. Në vlerësimin nëse një shkelje që cenon rëndë rendin kushtetues dhe funksionimin e rregullt zë
pushteteve është shkelje e rëndë merret në konsideratë: rëndësia e normës së shkelur; pasojat e ardhura; sjellja subjektive e Presidentin në eliminimin apo zbutjen e këtyre pasojave”, thuhet në draft. Ligji në fjalë ka 54 nene dhe aty përmend të gjitha kompetencat e kreut të shtetit.
Mazhoranca në momentin që shmangu shkarkimin e tij, vendosi të dalë me një ligj për të mos lejuar precedentët me shtyrjen e zgjedhjeve apo me betimin e gjyqtarëve. Ky ligj padyshim do të shkaktojë përplasje me Presidentin, i cili me shumë gjasë do vijojë të mos e njohë duke pretenduar se ai njeh vetëm Kushtetutën. Megjithatë me këtë draft mazhoranca e ka izoluar disi.
Ligji synohet të miratohet brenda dhjetorit dhe nëse Meta e kthen për rishqyrtim do jetë në fuqi vitin që vjen. Zgjedhjet e 25 prillit nuk dihet si përfundojnë, por nëse PS është në pushtet, atëherë me këtë ligj do e ketë të lehtë përballjen me Presidentin.