Partia Socialiste do të mbledhë sot pasdite Kongresin. Takimi do të mbahet në stadiumin “Air Albania”, ndërsa pritet të ketë zhvillime të shumta.
Ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili ka dhënë më shumë detaje. Në një deklaratë për mediat, Balla u shpreh se pjesa e parë e Kongresit do t’i dedikohet rrugëtimit 30-vjeçar të PS, ndërsa bëri me dije se në pjesën e dytë të Kongresit do të bëhet prezantimi i programit të PS për mandatin e ri qeverisës. Balla paralajmëroi se do të ketë edhe një riorganizim brenda partisë, po ashtu edhe në administratë.
“Partia Socialiste e Shqipërisë është një parti me shumë rregulla dhe respektimi i këtyre rregullave na bën të kuptojmë sesi po ecën ky subjekt. Pra, do të mblidhet organizmi më i rëndësishëm i Partisë Socialiste, sikurse është Kongresi që do të miratojë procesin e analizës dhe riorganizimit në të gjitha nivelet.
Fillojmë nga niveli i organizatave, këshillave socialiste në nivel njësie, të asambleve në nivel bashkie, këshillave koordinues të qarkut, Asambleja Kombëtare dhe në fund tek Kryesia e Partisë”, tha ai. Ndër të tjera, Balla u shpreh se ky vit do të jetë një vit mjaft i rëndësishëm për vendin sa i përket integrimit. Balla theksoi se mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare do të konkludojë më pas edhe me integrimin e vendit drejt Bashkimit Europian. “2021-shi është një vit tepër i rëndësishëm për Shqipërinë.
Brenda këtij viti do të mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri – BE që do të konkludojë me hapjen ceremoniale e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ky proces i fundit që çon në anëtarësimin e Shqipërisë në BE, kërkon më shumë përgjegjësi nga të gjitha palët”, tha Balla.
Pëllumbi flet për lëvizjet në administratë
Ndërkohë edhe Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi ka folur sa i përket Kongresit të PS dhe lëvizjeve në administratë. Në një intervistë televizive, i pyetur nëse do të ketë lëvizje brenda administratës, Pëllumbi u shpreh se ka nevojë për një “shkundje”. Ai theksoi se administrata duhet që të gjendet sa më pranë problemeve të qytetarëve. “Ka nevojë realisht për ndryshime dhe “shkundje” siç e ka thënë kryeministri.
Sa më pranë njerëzve dhe sa më e gjindshme të jetë administrata në problemet me njerëzit, aq më e mirë do të jetë edhe politika e qeverisë. Do të vazhdojmë të rrisim shërbimin e digjitalizimit, duke ulur kontaktin e njerëzve me punëtorët e administratës”, tha ai. Ndërsa duke folur për ligjet e rëndësishme të aprovuara në vitet e fundit në Parlament, Pëllumbi tha se reforma në drejtësi është më e madhja.
Ai theksoi se lidhur me reformën është bërë shumë punë e madhe. “Është artikuluar shumë herë që pjesa më e madhe është se jemi marrë me reformën në drejtësi. Me krenari themi se kemi mbyllur kuadrin ligjor, pjesën e administrimit. Kemi bërë një punë mjaft të madhe. Parlamenti e ka parë dhe ka aprovuar ligje që ndikojnë në jetën e njerëzve, Kodin e ri Zgjedhor apo të tjera që nuk kanë bërë lajm të dukshëm, por që ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve”, deklaroi Pëllumbi.