NGA RIGELS SELIMAN
Pas pushimeve dimërore, socialistët i janë rikthyer dje punës. Pak para se të startonte sesioni i VI -të i Legjislaturës së IX-të parlamentare, është mbledhur grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Mbledhja e djeshme ishte e para që grupi socialist ka zhvilluar për këtë vit, ndërsa gazeta ka mësuar detaje nga ato që u diskutuan në të. Sipas informacioneve, mësohet se ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla, i cili ka drejtuar këtë mbledhje, në mungesë të kryeministrit Edi Rama që ndodhej për një vizitë zyrtare në Ukrainë.
PS në këmbë kundër Metës
Burime nga mbledhja i pohuan gazetës se zoti Balla ka dhënë një sërë porosish për deputetët, duke kërkuar nga ata që të jenë aktivë, pasi në këtë sesion parlamentar i presin shumë punë. Mësohet se Balla ka porositur të vetët që të rrëzojnë dekretet e kthyera për rishqyrtim në Kuvend nga presidenti Ilir Meta, sikundër është ligji “Anti-Shpifje”. Po ashtu, të njëjtat burime theksuan se kreu i grupit socialist ka urdhëruar deputetët, sidomos atë të komisionit hetimor që të përshpejtojnë procedurat e shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga detyra. Në këtë pikë, mësohet se Balla është shprehur se mazhoranca socialiste është e vendosur për t’i shkuar deri në fund nismës së saj për të shkarkuar Metën nga detyra, pasi për të, kreu i shtetit ka shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën dhe se nuk e meriton të qëndrojë në atë zyrë.
Madje, teksa iu ka kërkuar deputetëve që të jenë në këmbë kundër Metës dhe lëvizjeve të tij, mësohet se Balla ka theksuar se beteja që socialistët kanë nisur me Metën nuk është politike, por ka nisur si pasojë e shkeljeve të vazhdueshme që ai ka bërë në krye të shtetit. Gjithashtu, duke qenë se në komisionet parlamentare pritet që të shkojnë disa ligje të rëndësishme si ai “KÇK” apo ndryshimet kushtetuese për të rrudhur kompetencat e presidentit, mësohet se Balla ka porositur vartësit e vetë që të jenë tejet të angazhuar në këto çështje. Sakaq, mësohet se deputeti Balla ka kërkuar angazhim nga deputetët edhe sa i takon reformës zgjedhore. Pra, të gjitha këto porosi tregojnë qartë se socialistët janë të vendosur për ta shkarkuar presidentin Ilir Meta nga detyra, ndërkohë që kanë ndezur motorët, duke treguar se në këtë sesion të ri parlamentar ata pritet të miratojnë shumë ligje e marrëveshje në dobi të qytetarëve shqiptarë.
Ja diskutimet në grup
Por porositë për të qenë vigjilent ndaj presidentit Ilir Meta dhe për ta bërë realitet nismën e mazhorancës për të shkarkuar kreun e shtetit nga detyra, nuk ishin të vetmet që kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka dhënë për deputetët socialistë. Gazeta ka mësuar se në këtë mbledhje, është diskutuar edhe për kreun e Institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Në lidhje me kreun e ILD-së, Balla ka kërkuar nga deputetët që të votojnë pro kandidaturës së Artur Metanit. Ky i fundit u zgjodh dje fitues gjatë votimit në Parlament, mes katër kandidaturave të tjera.
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është një institucion i rëndësishëm do të procedojë prokurorë e gjyqtarë të cilët mund të japin vendime abuzive. Po ashtu, në këtë mbledhje mësohet se Milva Ikonomi është propozuar për të zëvendësuar Arben Ahmetajn në postin e kreut të Komisionit të Ekonomisë. Deputetja Ikonomi ka marrë votat e nevojshme në Kuvend. Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme mësohet se është propozuar që deputetja socialiste, Mirela Kumbaro, të zëvendësojë Milva Ekonomin në pozicionin e kreut të Komisionit të Medias dhe Edukimit. Edhe kandidatura e Kumbaros ka marrë dritën jeshile nga Kuvend, duke u votuar si nënkryetare e Medias.