Partia Socialiste e Shqipërisë ka zbardhur dje detajet e komisionit parlamentar që pritet të ngrihet sa u përket burgjeve të UÇK-së në veri të vendit. Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, në një konferencë për shtyp u shpreh se është duke u vlerësuar kuadri ligjor, ndërsa u shpreh se qëllimi është të hidhen poshtë gjithë pretendimet e Dick Marty.
“Ne jemi duke vlerësuar kuadrin kushtetues dhe atë ligjor në instrumentet që ka Kuvendi i Shqipërisë, në funksion të një procesi kuvendor në kuadër të një Komisioni të Posaçëm për të verifikuar disa prej çështjeve që lidhen me Shqipërinë në raportin që ka bashkë-shoqëruar rezolutën e Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Europës me hartues z. Dick Marty. Në atë raport referohen edhe ngjarje apo vepra penale, të cilat sipas raportit kanë ndodhur në Shqipëri.
Pas atij momenti në Shqipëri janë bërë verifikime nga EULEX-i apo institucione të tjera, të cilat kanë ushtruar aktivitetin e tyre në Kosovë. Duhet të kujtojmë se verifikime janë bërë edhe nga institucionet hetimore shqiptare”, u shpreh Balla. Ndër të tjera, kreu i grupit parlamentar deklaroi se do verifikohet çdo dëshmi, teksa u shpreh i sigurt se nuk ka pasur kurrë krime lufte.
“Është në dinjitetin institucional të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe dinjitetin e Shqipërisë sonë të përbashkët që në këtë kontekst të gjitha këto gjetje të raportohen. Çdo lloj dëshmie hedh poshtë dyshimet, sepse prova nuk ka, që në Shqipëri, Kukës, Has apo Mat të jenë kryer, sikurse pretendohet, krime kundër njerëzimit apo krime lufte.
Shqipëria është një shtet ligjor që ka detyrimin të verifikojë çdo dëshmi. Pasi ta kemi kolauduar të gjithë procesin juridik, Kuvendi do të shprehet dhe më pas i takon Asamblesë Kombëtare të Këshillit të Europës, që në vijim të atij raporti dhe asaj rezolute, të rivlerësojë vlerësimet që lidhen me Shqipërinë”, u shpreh Balla. I pyetur nëse ky komision është ngritur për liderin demokrat, Balla u shpreh se opozita s’duhet të kishte votuar në atë raport, ndërsa thekson se kreu demokrat duhet të distancohet nga ish-kryeministri Sali Berisha.
“Lulzim Basha dhe Sali Berisha së pari duhet të kërkojnë falje që kanë votuar atë raport monstruoz kundër luftës çlirimtare të Kosovës.
Partia Demokratike e Shqipërisë duhet të mbajë një qëndrim. Mendoj se Lulzim Basha duhet të ndahet nga Sali Berisha, të paktën për këtë çështje, nëse ka këllqe ta bëjë. Vota e Partisë Demokratike në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës Pro raportit të Dick Marty është një tradhti e rëndë kombëtare”, u shpreh ai.
Balla akuza ndaj Bashës
Gjatë fjalës së tij po ashtu Balla, hodhi akuza mbi Partinë Demokratike duke thënë se ishte pro raportit të Dick Marty në KiE, ndërsa vijoi më tej duke akuzuar kreun demokrat se ka qenë pjesë e zyrës së hetimeve. “Partia Demokratike ka qenë pro raportit që ka kërkuar hetimin. Sa për hetimin, shqiptarët kurrë nuk kanë kryer krime lufte, sepse kurrë nuk kemi kryer luftë pushtuese. Edhe Kuvendi i Shqipërisë e ka mbështetur hetimin.
Ju kujtoj që në vitin 2012 kemi votuar në Kuvendin e Shqipërisë, për t’u dhënë mundësinë këtyre institucioneve të vijnë të hetojnë. Që Lulzim Basha ka punuar në zyrën e hetimeve të krimeve të UÇK-së kjo nuk ka dyshim. Mund të intervistoni vetë komandantët apo ushtarakë të UÇK-së, të cilët mund t’ua konfirmojnë. Ajo që po ju them unë është se Partia Demokratike, ndjesën ndaj UÇK-së dhe historisë së luftës së UÇK-së, duhet ta kërkojë tek pozicioni që ka mbajtur në marrëdhënie me raportin e z. Dick Marty.
Lulzim Basha ka plot elementë për rolin që ka luajtur, të cilëve nuk u kthen ende përgjigje. Ndër të tjera, Balla foli edhe faktin se pse e ngriti pikërisht tani këtë komision. “Duhet ta kishim bërë prej shumë kohësh. Më mirë vonë sesa kurrë, thotë populli shqiptar. Ky është një proces që duhet bërë dhe do të bëhet”, u shpreh ai.