Pak ditë më parë, kreu i Arkivës së Shtetit, Ardit Bido tha se Qemal Stafa nuk është hero dhe se 5 Maji ishte mit absurd në historinë e Shqipërisë, avokati Idajet Beqiri, i konsideron deklaratat si vijimësi e përpjekjes së kolaboracionistëve sipas tij, për të mbjellë farën e neofashizmit.
11
Beqiri thotë se 5 Maji është një ditë e shenjtë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Në 30 vjetët post sistemit komunist, nuk ka mbetur asnjë vlerë kombëtare pa u baltosur dhe pa u përdhosur prej revanshistëve antishqiptar. Goditjet më të rënda i janë bërë LANÇ-it.
Fryma e vjetër kolaboracioniste, por edhe më egërsisht neokolaboracionistët e rinj të tipit Ardit Bido, bijtë e baballarëve të stampuar me vulën e turpit, si bashkëpunëtorë të nazifashizmit, për të justifikuar renditjen e tyre në krahun e turpit dhe të krimit kundër atdheut dhe popullit, nuk kanë lënë shpifje, fyerje, intriga dhe poshtërsi pa bërë për të fshirë dhe për të zvogëluar kryevlerën e shqiptarëve si antifashist, renditjen e Shqipërisë në anën më pozitive të historisë, në krahun e fituesëve të Luftës së Dytë Botërore”, shkruan ai.
Në një reagim, Bido thotë se të afërmit e tij si gjyshërit dhe xhaxhallarët ishin partizanë dhe veteranë lufte që kanë kontribuar për vendin, duke shtuar se “bijtë e kolaboracionisteve gjeji diku tjetër.
Reagimi i Bidos: Mund te shkruash cte duash i dashur, por nja dy gjera do qe mire ti rishkruaje: E para, gjyshrit e xhaxhallaret e mi (dhe te kusherires time qe i ke bere tag) jane partizane e veterane lufte qe kane luftuar per kete vend, ndaj bijte e kolaboracionisteve gjeji diku tjetër. E dyta, bujrum studio ne arkiv, se nuk je as i regjistruar. Te ishe, do e kuptoje ndryshimin rrenjesor te institucionit te bere prej meje “cunakut”.
E treta, hajd debato mbi ide po do, se nuk i shmangem, por bazohu te cfare them une, jo te cfare neokolaboracioniste e neokomuniste thonë.
Përgjigja e Beqirit: Mendova se do të kishe reflektuar sadopak, duke e konsideruar një lajthitje të pafalshme çfarë të nxorri goja në 5 maj! Dhe duke patur në konsideratë faktin që, edhe kali më azgan e i fisëm, mund të qorollepset, t’a konsideroje atë moment një qorollepsje banale që nuk duhej përsëritur sa të kesh jetën.
Te Arkivi, ku punon ti, krahas shumë e shumë të tjerave materiale për Qemal Stafën, ke edhe dosjen e gjyqit kundër komunistëve. Ishin mbi 50 në bankën e të akuzuarve prej regjimit fashist që sundonte Shqipërinë.
Në vitin 1983, nuk kishe lindur ti at’here, te Salla e leximit, për 30 ditë me radhë, kam lexuar këtë dosje. Madje e kam të konspektuar edhe sot në Arkivin tim. Besoj nuk e ke lexuar, sepse sikur vetëm këtë dosje disi voluminoze, të kishe lexuar, lëre pastaj të lexoje për jetën e tij në Firence dhe çfarë shkruanin qarqet e larta fashiste në Itali dhe në Shqipëri për të, nuk do të kishe lajthitur gjerë në atë shkallë te Fevziu, i cili për hirë të së vërtetës, pret me padurim të marr në Opinionin e tij tipa të linjës së Esat Pashë Toptanit, stërnip i të cilit është.
Bëj një parantez: Regjistrimet e anëtarëve që studiojnë në Arkiv para vitit 1990, i keni fshirë?! Nëse i keni fshirë, athere ke të drejtë që thua “bujrëm studio në arkiv, se nuk je as i rregjistruar”! Lidhur me idetë neokolaboracioniste, neofashiste etj, nuk lidhet me familjen tënde. Nuk e ngatërroj me rrënjët e familjes tënde antifashiste, me ty personalisht, që me çfarë të nxorri goja në 5 maj, edhe Mustafa Merlikës ia kalove!”.
Artikulli i plotë:
Ardit Bido, drejtori aksidental i Arkivit Qëndror të Shtetit, paguhet nga taksat tona për të mbjellë farën e neofashizmit…
5 maj është një ditë e shenjtë për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Kjo ditë e shënuar, e pranuar dhe e ligjëruar tashmë prej afro 80 vjet, simbolizon më të veçantën për një komb, për një vend dhe për një popull, ditën e dëshmorëve të atdheut.
Në 30 vjetët post sistemit komunist, nuk ka mbetur asnjë vlerë kombëtare pa u baltosur dhe pa u përdhosur prej revanshistëve antishqiptar. Goditjet më të rënda i janë bërë LANÇ-it.
Fryma e vjetër kolaboracioniste, por edhe më egërsisht neokolaboracionistët e rinj të tipit Ardit Bido, bijtë e baballarëve të stampuar me vulën e turpit, si bashkëpunëtorë të nazifashizmit, për të justifikuar renditjen e tyre në krahun e turpit dhe të krimit kundër atdheut dhe popullit, nuk kanë lënë shpifje, fyerje, intriga dhe poshtërsi pa bërë për të fshirë dhe për të zvogëluar kryevlerën e shqiptarëve si antifashist, renditjen e Shqipërisë në anën më pozitive të historisë, në krahun e fituesëve të Luftës së Dytë Botërore.
Kanë dashur të zvogëlojnë madhështinë e LANÇ, kanë hedhur helm duke e konsideruar LANÇ si “luftë civile”, kanë bërë “matematikën e dreqit” për të zvogëluar numurin e heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, kanë “lënë lesht” për të n’a lënë pa datë të çlirimit të Atdheut nga nazifashistët në Luftën e Dytë Botërore etj etj.
Por për hirë të së vërtetës, 5 majin, Ditën e Dëshmorëve të Atdheut, nuk e kanë anatemuar, nuk e kanë kontestuar, nuk kanë vjellë vrerë kundër kësaj dite simbol për Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Si “rrufe në qiell të pastër”, në 5 majin e këtij viti, del një çunak me emrin Ardit Bido, i cili për ironin e fatit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve është emëruar nga Kryeministri Edi Rama si drejtor i Arkivit Qëndror të Shtetit, dhe hedh disa “shashka” neokolaboracioniste dhe neofashiste për 5 majin, Ditën e Dëshmorëve të Atdheut dhe për simbolin e kësaj dite, Qemal Stafën.
Përmes një fjalori shumë të varfër, përmes “argumentesh” absurde, pa nivelin minimal kulturor, e për fatin e keq, pa njohuritë minimale nga historia e LANÇ dhe e udhëheqësve të saj, hodhi baltë të pistë, me mëndësinë e “pararendësit” të çbërjes së 5 majit dhe të simbolit të saj.
Sipas këtij çunaku të marrosur, në veprimtarinë e simbolit të dëshmorëve të atdheut Qemal Stafa, nuk ka asnjë meritë dhe vlerë që të përligj 5 majin! Madje, me mëndjen e tij jo vetëm foshnjarake, por edhe fare pa nivel trunor, arriti të bëjë paralelizma banale dhe qesharake të tipit: “Akti i Vasil Laçit ishte ku e ku me vrasjen e Qemal Stafës”!
Në kohën që jetojmë, çfarë nuk po shikojmë dhe çfarë nuk po përjetojmë! Tipa si ky myteberi i papërgjegjshëm Ardit Bido, për t’u bërë “të besueshëm” si “antikomunistë”, te “shkolla e Mark Markut”, të persektuarit të çdo regjimi, ku ky Bidua e ka kokën dhe trurin, bëhen “më katolikë se Papa”!
Në gjuhën e lig të Ardit Bidos për poshtrimin që i bëri 5 majit dhe posaçërisht simbolit të saj, mëshirohej jo vetëm frika nga neokolaboracionistët e sotëm, jo vetëm ndikimi poshtrus i “shkollës së Mark Markut”, me të cilin ky Bidua ushqehet në një çanak, por edhe injoranca e tejskajshme për simbolin e 5 majit, Qemal Stafën, jeta dhe vepra e të cilit ka qënë, është dhe do të mbetet frymëzim dhe motiv për vepra të mëdha në interesin e Shqipërisë posaçërisht të rinisë shqiptare. Qemal Stafa ishte dhe ka mbetur një “Çekevara” i Shqipërisë.
Antifashizmi i tij brilant qysh në moshën 14 vjeçare, përballimi filozofik dhe tepër i guximshëm prej tij i gjyqit fashist të vitit 1939, kur ende nuk i kishte mbushur 18 vjetët dhe ku mori mbi shpinë 6 vite burg, organizimi dhe puna e tij kolosale dhe largpamëse për të krijuar në çdo anë e kënd të Shqipërisë organizatën e rinisë antifashiste, në krye të të cilës ishte ai, frymëzuan afro 60 mijë të rinjë e të reja të moshës deri në 26 vjeç, ose 90 përqind të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, të cilët çliruan Shqipërinë nga nazifashistët.
Antifashizmi i Qemal Stafës dhe mëndja e tij e ndritur në ngritjen dhe në mbrojtjen e një bote të re, pa fashizëm dhe fashistë, spikati dukshëm në Firence të Italisë, ku ai studionte. Profesor të shquar italian në Firence e vlerësonin dhe e dëgjonin me endje këtë intelektual antifashist mëndjedritur të Shqipërisë.
Çeta Partizane e Myslym Pezës ishte e para çetë antifashist në Europë, e cila nisi luftën Antifashiste. Komisari i parë politik i kësaj çete ishte pikërisht Qemal Stafa.
A i di këto gjëra ky drejtori famëkeq i Arkivit Qëndror të Shtetit Shqiptar?!
A e di ky dritëshkurtër se pas vrasjes së Qemal Stafës në 5 maj 1942 antifashizmi shqiptarë u ngjit në majat më të larta të tij dhe heroizmi i rinisë antifashiste shqiptare shpërtheu me akte të paimagjinueshme heroike, deri në vetflijime dhe martirizim të tyre?
Kryeministri Rama e ka emruar në këtë detyrë të lartë këtë çunak thjeshtë dhe vetëm se donte pjesën “e tepsisë” Idrizi i PDIU, ku aderonte ky farë Ardit Bido! Merita e vetme e tij është të qënurit anëtar i Partisë së Idrizit!
Të shohësh në krye të institucionit më të rëndësishëm të shtetit shqiptar, siç është Arkivi Qëndror i Shtetit, në vitin 2021, Ardit Bido, në një kohë që ai institucion është drejtuar nga Zef Mala, Gaqo Peristeri, Veli Dedi, Dhimitër Kotini, Thoma Murzaka, Gazmend Shpuza, Zamir Shtylla, Shaban Sinani, Spiro Rusho etj etj, është përdhosja më e rëndë haxhiqamilëse që i bëhet Arkivit Qëndror të Shtetit Shqiptar.
Turp dhe faqezezë për ne, taksapaguesit shqiptarë, në gjak dhe veprimtari qytetëruese antifashiste, të paguajmë dhe mbajmë si drejtor të Arkivit Qëndror të Shtetit një spurdhjak neofashist që n’a prek rëndë në gjënë më të shenjtë që kemi, te dëshmorët dhe heronjtë, te gjaku i tyre i derdhur për Atdhe!
Av. Idajet Beqiri