Kryeministri Edi Rama ka vijuar replikat me Presidentin Ilir Meta, për situatën e krijuar nga koronavirusi dhe masat e marra nga qeveria.
Kreu i qeverisë i kërkon presidentin të heqë dorë nga akuzat sepse “po i bie kallaji fare”.
“Ilir, infektimet dhe humbjet e jetës po shtohen fatkeqësisht kudo në botë, pavarësisht nga testimet e nga dënglat e tua, Lulit, Monikës e Saliut! Sot në Itali kanë humbur jetën aq sa Shqipëria gjithsej.
Krahasuar me numër popullsie i bie që duhet të kishim 30 vdekje në ditë!
Si shpjegohet që tërë kjo botë nuk po ia del dot më mirë se ne, meqë këtu e paska fajin qeveria për rritjen e numrave?
Pyetje kot kjo se ti je Shvejku, “Ç’më duhet mua ça them unë!”, jo Presidenti i Republikës! Si të ra kështu kallaji fare o njeri, çfarë do akoma nga Shqipëria” shkruan Rama.
Vetëvrasjet e pacientëve, Rama nxjerr bilancin e Italisë
Rama i është përgjigjur opozitës për pacientët që hidhen apo vetëvriten nga spitalet COVID.Rama bën krahasimin me italinë për periudhën mars-gusht duke theksuar se në shtetin fqinj janë vetëvrarë 71 persona me COVID-19.
Ai madje ironizon duke theksuar se dhe opozita do kalojë me dimrin bashkë me COVID-19. Në Shqipëri tre pacientë me COVID-19 janë vetëhedhur nga spitalet dedikuar trajtimit të tyre duke gjetur vdekjen, kurse një rast i katërt u shënua sot tek Infektivi, por që mbeti i plagosur.
“Në Itali nga marsi në gusht janë vetëvrarë 71 persona me Covid dhe s’ka bërë vaki të merret opozita me këto tragjedi,po ju s’jeni opozitë, ju jeni një çetë e çakërdisur personazhesh qesharake me kostume serioze!Do kaloni dhe ju bashkë me Covidin,me dhimbje po do kaloni me dimrin!”
Reagimi i Rames ka ardhur pas akuzave te Metes se qeveria duhet të marrë një sërë masash emergjente, duke kërkuar rritet të buxhetit për sistemin shëndetësor dhe të ndalë koncesionet korruptive.
“Qytetarët e infektuar po shtohen çdo ditë! Jetët e humbura po shtohen çdo ditë! Shto testimet! Rimburso pacientët të cilët mjekohen në shtëpi, familjet në nevojë dhe pensionistët e infektuar me COVID-19!
Rrit buxhetin për sistemin shëndetësor! Shto spitalet COVID!
E e di ti sa paguan sot çdo shqiptar për mjekim dhe ilaçe për t’i shpëtuar COVID-19?
A nuk ishe ti që ju premtove shëndetësinë falas?
Mjaft me koncensione dhe PPP korruptive! Mjaft me tendera sekrete për oligarkët!”, reagoi Meta me pare!