“Jemi 12 familje që janë bashkuar në këtë protestë, sepse jemi të zhgënjyer që akoma edhe sot nuk kemi një zgjidhje për gjysmën e pallatit që na është shembur nga tërmeti i 2019-ës, pranë Ministrisë së Jashtme”.
Këtë mesazh të mbërritur nga një qytetar që thotë se ende nuk ka gjetur zgjidhje nga institucionet rindërtimin e pallatit, kryeministri Edi Rama, e prezantoi të plotë, në Podcastin “Flasim”. Jo rastësisht, por për të hequr paralele, me protestën në bulevard.
“Kjo është protesta që mua më intereson, që mua më zemëron po ashtu, që mua më motivon të vazhdoj luftën time”, tha Rama.
LEXO EDHE:
Ish-zv.ministrja socialiste kritikon Spahon se i kërkoi Ramës të mos japë dorëheqjen, reagon ish-deputeti: Shqipëria është shumë afër integrimit europian
I njëjti shqetësim është shfaqur edhe para 1 viti, dhe në atë rast, kreu i qeverisë thotë se e ka dërguar për zgjidhje në Bashki, por sipas tij mbetja e kryeqytetit pa ‘kryetar’ ka edhe të tilla pasoja.
“Ne nuk kemi kryetar bashkie. Ne kemi një bashki që “funksionon me defibrilator, me oksigjen”, me 700 shtytje dhe me 700 ngërçe”, u shpreh kryeministri.
Një thirrje, Rama ia drejtoi të gjithë qytetarëve që kanë një hall të pazgjidhur, duke u kërkuar të ndajnë qartë se çfarë nuk duhet të tolerojnë, dhe ndaj kujt nuk duhet të bien pre.
“Mos e falni hallin tuaj askund. Mos ia falni administratës, por mos ia falni në asnjë mënyrë atyre që duan t’i çojnë gjërat mbrapsht duke përdorur hallin tuaj. Nuk duhet lejuar që një hall i drejtë të bëhet lëndë djegëse për ata që vazhdojnë e ushqejnë këtë protestë, vazhdojnë e ushqejnë këtë rrëmujë. Ata kanë nevojë që zgjidhja mos vijë kurrë se ata duan që ë të mbajnë gjallë zemërimin, përçarjen”, vijoi ai.
Për protestën e vazhdueshme poshtë zyrës së tij, të saj Rama komentoi:
“Nuk më zemëron mua protesta e sikur-eve, as protesta e shtirjeve. Ajo më neverit. Nuk mund të pranoj lloj-lloj sharlatanësh, delirantësh, manipulatorësh apo njerëzish të futur nga të tjerë si edhe hipokritësh që i kam njohur në punë, i kam parë në punë që të ë marrin mikrofonin e protestës. Edhe që të tregojnë si bëhet Shqipëria. Këtë unë s’mund ta pranoj dot”, tha Rama.
Përgjigje iu dha edhe akuzave të opozitës dhe jo vetëm, se Rama ka projektuar 523 resorte pa taksa, akuzë e mbështetur në librin e arkitektëve “The Albanian Files”.
“The Albanian Files” është vendosur në shënjestër nga inkuizicioni revolucionar i protestës, ndërkohë që nuk është libri im dhe nuk është një botim i kontrolluar prej meje. Ka ardhur si një projekt editorial tërësisht i pavarur. Unë thjesht kam dhënë aty një kontribut me një tekst parathënës”, tha kryeministri.
Në këtë libër 60 arkitektë nga studio prestigjoze ndërkombëtare paraqesin 500 projekte të zhvilluara ose të planifikuara në Shqipëri, së bashku me shënimet e tyre mbi vendin dhe këto investime.





