Kryeministri Edi Rama tha se Partinë Demokratike se u dha strehim politik protestuesve të dhunshëm, ndërsa tha se të miturit po përdoren si “mish për top” në përplasjet me Policinë. Sipas Ramës, ata që qëndrojnë pas protestave ëndërrojnë që një efektiv policie t’i marrë jetën një të mituri, për të rikthyer një tjetër 21 Janar dhe për të vendosur shenjën e barazimit mes qeverisë së tij dhe atyre që, siç tha, vrisnin protestues në bulevard.
“Ata që mbrëmë u dhanë strehim politik, duke bërë të njëjtën gjë edhe kur ishin në kohë të tjera, refuzimin për ta lënë Policinë të bëjë punën e vet. Por s’e kishin deri në fund kurajën të bënin këtë që po bëjnë sot.
U gjetën të miturit, që merren dhe vihen përpara me shufra hekuri dhe çohen atje mish për top, duke ëndërruar që një polici t’i shpëtojë dora dhe t’i marrë jetën një të mituri, që pastaj të justifikohet e keqja edhe më e madhe.
Duke ëndërruar që të kthehet këtu prapë 21 Janari, për të bërë shenjën e barazisë mes meje dhe nesh, që e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu dhe e kemi ndërruar faqen e këtij vendi dhe e kemi ngritur dinjitetin e këtij vendi, me ata që në bulevard i vrisnin protestuesit.
Dinjiteti me të cilin ju po i rezistoni kësaj flakë, kësaj lodhjeje, dhe kuraja me të cilën ju po i qëndroni këtij presioni, i bën nder uniformës suaj, shtetit shqiptar dhe është borxh që të gjithë qytetarët e kthjellët dhe familjet e zakonshme të këtij vendi, që sot duan të shkojnë në punë, nuk duan të rrinë para televizorit, nuk duan të jenë nën presionin e lloj-lloj analistësh që u tregojnë se Policia po gjuan me gurë protestuesit, ua kanë borxh”, tha Rama.
