Kryeministri Edi Rama tha se tre projektet franceze në vendin tonë presin ende firmën e Presidentit Ilir Meta, i cili sipas tij nuk firmos. Rama tha se çdo fond i mbledhur për rindërtimin në Bruksel, administrohen nga donatorët.
Pjesë nga intervista në Opinion
Fevziu: Fondet kanë ardhur të gjitha, nuk kanë ardhur? Ju thatë që nuk kanë ardhur të gjitha, nga BE ka ardhur vetëm një pjesë e fondeve… Kjo është për fajin e BE apo edhe një pjesë e fajit tonë që nuk jemi në gjendje të paraqesim projekte.
Rama: Duhet të keni parasysh donatorët, çfarë parash janë dhënë në Bruksel, në Konferencën e Donatorëve, administrohen nga donatorët. Ne thjeshtë facilitojmë procesin, lejen e ndërtimit, sheshin e ndërtimit, nga A-ja tek ZH-ja. Projektet e shkollave i bëjnë ata, tenderat për shkollat i bëjnë ata, kontratat i nënshkruajnë ata, supervizionin ata…
Ne nuk jemi fare në proces nga A-ja tek ZH-ja, kur vjen puna tek paratë e rindërtimit. Unë isha në Francë dhe sot që flasim nga donacioni francez atje, janë 3 projekte, 130 milionë euro mos gabohem, që janë kredi e butë nga Fondi Francez i Zhvillimit. Që është projekt për gratë, një për ujësjellësin e Durrësit, që është pjesa kryesore, rreth 60 milionë. Një është për sistemin e furnizimit me energji elektrike.
Që të treja këto që po flasim, sot që po flasim presin që të firmosë Ilir Meta, që ka gjetur një variant të panjohur më parë në historinë e republikës tonë dhe të panjohur në historinë e përbotshme të republikave parlamentare që nuk firmos, për një dhënie dakordësie që është noteriale. Domethënë nuk kanë hyrë akoma francezët, në procesin e projekteve, etj. Pra të gjitha këto, janë fonde që do të lëvrohen hap pas hapi, por në kohë”.