Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më shumë se njëherë sot në seancën e parë parlamentare të sesionit të ri se nuk do të ketë marrëveshje të detit në cenim të interesave kombëtare.
Duke folur për pretendimet e Greqisë për zgjerimin me 12 milje, Rama theksoi se Shqipëria nuk i ka 12 milje dhe se ata që e rrëzuan marrëveshjen e qeverisë së kaluar s’mund të jenë ata që ribëjnë në cenim të interesave kombëtare.
Madje kryeministri tha se deti nuk është kamion me 12 litra ujë që kalon natën në dogana, duke shigjetuar kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi.
“Ju them të gjithë atyre që kanë të drejtë të mos na besojnë ne, mos bëhen qesharakë me veten e tyre dhe para fëmijëve të tyre, duke mbrojtur detin nga asgjëja. Përderisa ne jemi ata që e rrëzuam atë marrëveshje, s’mund të jemi ata që e ribëjnë marrëveshjen në cenim të interesave kombëtare.
S’mund të jemi. S’ka se si të jemi. Fjalën ‘shitje’ mos e përdorni me vend e pavend për çdo gjë se nuk funksionon. Nuk është një kamion me 12 litra ujë deti që ka lëvizur pa e marrë vesh ju, janë 12 milje. Nuk është kamion ai që ka kaluar natën në doganat që drejtoheshin nga Timi.
Nuk është më ajo kohë. Timi s’ka faj se mendon se mund të funksionojë si trau i doganës puna e detit. Nuk shkon dot deti me kamion nga doganat. Nuk ngrihet dot trau. Ça bëni kështu? Në vitin 2020? Ça është kjo hata e madhe? Ka njëmijë gjëra për të bërë opozitë. E çoroditët këtë pjesë të popullit që ju beson verbërisht, që ju ndjek verbërisht. Të paktën ju që jeni këtu dhe u ndatë nga ata që ikën, mos flisni si ata që ikën për çdo gjë.
Deti është aty nuk ka kush e merr dhe një gjë ta fiksoni mirë në kokë, që sa të jem unë këtë detyrë, do bëjmë më të mirën. Patjetër që do bëjmë dhe gabime, por cenim interesash kombëtare kurrë. Ju demokratët e mëdhenj shumë që keni frikë nga takimet mos merrni frikën e Lulit të gjithë. Luli ka frikë të takohet me mua. Takimet janë pozitive dhe në luftë, jo më në paqe”, deklaroi Rama.