Protesta poshtë zyrës së tij ka hyrë në javën e tretë, por për herë të parë Rama tha qartë se nuk do të japë dorëheqjen, e cila sipas tij do të ishte rruga më e lehtë. Kontratën ai tha se e ka me popullin që i dha 83 mandate 1 vit më parë, me destanacionin për ta çuar vendin në BE. Protestën sipas tij po e sponsorizojnë faktorë të shumtë, mbështetur edhe nga babëzia dixhitale siç ai e quajti, për të fituar klikime. Rama i dha një mesazh edhe të lëkundërve përballë Shqipërisë së Re, të cilëve me ironi u kërkoi t’i çojnë një draft të shkruar.
“Kam pasur shumë mesazhe, nuk e di se për çfarë arsye, si, qysh, tek, mund ta kem lënë edhe përshtypjen që më ka shkuar ndër mend që unë të jap dorëheqjen”, tha Rama.
Të gjithë ata që deri sot i kishte lënë pa përgjigje, kryeministri Edi Rama, u foli përballë të tijëve, nga mbledhja e grupit socialist dhe kabinetit qeveritar.
“Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqës nuk i jepet zhurmës dhe sa më shumë zhurma zmadhohet, aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vet, duke bashkuar të gjithë në emër të destinacionit. S’jemi për të fituar numrin e klikimeve të ditës, por Shqipërinë në BE”, tha Rama.
Kur protesta për Zvërnecin ka hyrë në javën e tretë, kryeministri tregoi mësimin që Partia socialiste ka nxjerrë prej saj, por edhe sfidën e kësaj qeverie përballë një fenomeni global: botës online, që sipas tij shpërndan më shpejt gënjeshtrën se sa të vërtetën. Sipas Ramës, protesta tregoi se sheshi është kthyer në një studio që ushqen algoritmin.
“Prej 20 ditësh Shqipëria u kthye në syrin e një cikloni digjital, një vorbull shumëfish më e madhe sesa vetë përmasa e vendit tonë. Sheshi është thjesht një studio televizive e algoritmit. Është vendi ku filmohet materiali për ta ushqyer algoritmin dhe për ta justifikuar atë dhe pikërisht këtu fillon sfida më e madhe e demokracive të sotme. Kush mendon se me “like”-t dhe me “folloëers”-at e vet bën politikë, ose bën vetëm politikë, bën gabim”, tha Rama.
Identitet u dha edhe protestuesve në shesh: “Punonjës të mirëpaguar bankash, komedianë të kthyer në kandidatë, delirantë me qeleshe, intektualë me kapele republike”.
Interesi i tyre sipas Ramës është të krijojnë një reagim kolektiv sa herë një krizë shpërthen për të fituar nga klikimet edhe me të pavërteta, siç për të është çështja e shumëdebatuar “Aruba”.
“Nuk kam qenë kurrë në Aruba, nuk e di fare për çfarë bëhet fjalë se ka ndodhur në Aruba, nuk kam kërkuar kurrë njeri të shkojë në Aruba”? S’ka asnjë vlerë fare, sepse ndërkohë Aruba është bërë e vërtetë. Është nxjerrë në këtë fushën e algoritmit, është ricikluar në pafundësi dhe është bërë e vërtetë, siç është bërë e vërtetë që unë jam një “konsumator kokaine”, vijoi Rama.
Por arsyen e vërtetë të protestës, e sheh gjetkë dhe sponsorët pas saj, thotë se tashmë janë gjetur. Sipas tij, Narta dhe Zvërneci u kthyen në “kërthizën e botës” jo për shkak të çështjes mjedisore, por sepse protesta u lidh me emrin e Jared Kushner dhe me hijen e vjehrrit të tij, presidentit amerikan Donald Trump.
“Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Jared Kushner dhe sigurisht prej hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urren për vdekje krejt armata globale online. Jemi në një kohë kur, falë algoritmit dhe botës pa kufij, vijnë “mercenarët digjitalë” edhe nga vende që ti nuk e mendon se ishe shënjestër e tyre, për arsye nga më të ndryshmet. Të sponsorizuar nga shteti janë të identifikuar ata që vijnë nga Irani”, theksoi Rama.
Për socialistët e vjetër e të rinj që mund të lëkunden nga protesta, kryeministri kishte një mesazh të qartë, që duket se shkon edhe për deputeten Elisa Spiropali që mungoi në mbledhjen grupit.
“Ka edhe shpirtra të humbur në familjen tonë që e duan Shqipërinë e re, Mezi pres të na sjellin draftin e Shqipërisë së re të shkruar.
“E kalëruan këtë parti sa mundën dhe kur ranë nga kali filluan t’i gjuajnë me këpucët e blera majë kalit”, tha Rama.
Kryesocialisti kishte edhe një porosi për të gjithë socialistët e zyrtarët e qeverisë.
“Shqipëria është e gjitha sot në duart tona, jo në këmbët e atyre që bëjnë xhiro. Nuk është një hashtag Shqipëria. Shqipëria nuk është një flamingo që merret zvarrë për t’u dukur bukur. Shqipëria është një vend që sot është në një luftë të madhe me vetveten dhe BE-ja është “Itaka” jonë”, përfundoi ai.





