Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Detroit qëndrën më të madhe ekonomike të shtetit të Michigan-it, ku foli edhe për imazhin e Shqipërisë dhe mënyrën se si vendi po perceptohet sot nga Diaspora.
Duke iu referuar flamingos, që gjatë verës u kthye në një nga simbolet më të komentuara në Shqipëri, Rama tha se një shpend arriti të shndërrohej në pjesë të një debati më të gjerë për vendin.
Kryeministri u ndal edhe te jehona që, sipas tij, ky fenomen pati përtej Shqipërisë, duke përmendur veçanërisht Diasporën shqiptare.
Rama e lidhi këtë me ndryshimin e mënyrës se si Shqipëria shihet sot, duke krahasuar perceptimin e së kaluarës me atë që ai e cilësoi si një qasje të re.
“Këtë verë flamingoja u bë figura më popullore e Shqipërisë, doli nga laguna, erdhi në Tiranë, pushtoi bulevardin, ekranet, pasqyrat digjitale, dhe mori vëmendje në të katërt anën e globit. Askujt s’do i kishte shkuar në mendja deri jo shumë vite më parë se si një shpend aq i hijshëm, i brishtë dhe i urtë, do ta kthente Shqipërinë në një adresë botërore të një debate shumëplanësh për natyrën, për zhvillimin, për turizmin, për trumpizmin. Përtej këtij të fundit që për hir të së të vërtetës e globalizoi flamingon e Zvërnecit, pati dicka shumë domenthënëse në manifestim, në qytetarët e protestës së qershorit, që tërhoqi jo vetëm vëmendjen por edhe mbështetjen e shumëkujt në diapsorë. Deri dje gjallesat masakroheshin dhe askush nuk pipëtinte. Deri dje Shqipëria lëndohej në shumë mënyra dhe bota as nuk e shihte, dhe shqiptarët as mund ta shihnin, sepse jeta zhvillohej me idenë që ka edhe më keq. Shqiptarët kanë nisur të jetojnë me idenë që ka edhe më mirë. Këtë qasje të re të shoqërisë e vulosi ai manifestim”, tha Rama.



