Mazhoranca socialiste është e vendosur për t’i shkuar deri në fund hetimit për krime lufte të supozuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në territorin e Shqipërisë gjatë luftës së ‘98-‘99.
Kështu Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Dick Marty ditën e djeshme u është drejtuar 5 institucioneve për të marrë informacione mbi bashkëpunimin e institucioneve shqiptare me misionin e OKB në Kosovë, UNMIK dhe më pas me EULEX. Sipas dokumenteve të siguruara nga gazeta, shihet se kryetari i Komisionit, Ulsi Manja i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Shërbimit Informativ Shtetëror.
Ndërkohë në kërkesën që u ka nisur institucioneve të mësipërme, Manja kërkon informacione të detajuara në lidhje me bashkëpunimin e institucioneve shqiptare me misionin e OKB në Kosovë, UMNIK dhe më pas EULEX. Nga ana tjetër, nga SHISH, zoti Ulsi Manja kërkon që t’i vendosë në dispozicion kopje të dokumenteve që disponon lidhur me objektin e punës së komisionit.
Sakaq ai i ka dërguar edhe një letër Olsian Çelës, ku kërkon që nga Prokuroria t’i vendoset në dispozicion çdo dokument që lidhet me ekzekutimin e letër-kërkesave të EULEX në Shqipëri dhe me veprimtarinë e kësaj Task-Force të bashkërenduar nga Prokuroria. Sipas kërkesës, institucionet kanë afat që dokumentet ose informacionet në lidhje me Dicky Marty kanë afat deri më datën 11 janar për t’i dorëzuar Komisionit të Posaçëm.
Po ashtu, në fillim të vitit të ri pritet të zhvillohen dhe seancat dëgjimore në varësi të informacioneve të sjella nga institucionet e mësipërme. Më herët gjatë ditës së djeshme është zhvilluar mbledhja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për raportin e Dick Marty, ku u diskutua mbi planin e punës në vijim. Deputeti i opozitës, Myslim Murrizi, kërkoi nga Komisioni që ish-anëtari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dick Marty të vijë në Shqipëri në një seancë dëgjimore.
Ndërkohë pak ditë më parë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se ngritja e komisionit të posaçëm parlamentar nuk ka si objekt të hetojë, pasi sipas tij, atë e bën prokuroria, por është një komision faktmbledhës i të gjitha materialeve lidhur me raportin e Dick Marty-t dhe akuzat e ngritura prej tij se UÇK ka kryer krime lufte në vendin tonë gjatë viteve 1998-1999. Sipas tij, pas mbledhjes së të gjitha materialeve do të hartohet një raport informues dhe do të shoqërohet me një rezolutë që do të nxjerrë edhe qëndrimin e Kuvendit të Shqipërisë mbi këtë çështje.