Rastii 15-vjeçares në periferi të Tiranës nga roja i shkollës ka sjellë solidarizim mbarëshoqëror. Në muret e kryeqytetit janë parë mbishkrime të ndryshme si “Mos përdhuno!”, “Ti nuk ke faj, faj ka përdhunuesi!”, “Pedofilët e kanë vendin në burg jo në shkollë”.
Ish-deputetja Majlinda Bregu teksa nxjerr foton e këtyre mbishkrimeve shprehet se për 65-vjeçarin nuk duhet të ketë gjykim të shkurtuar.
“Unë nuk gjej argument bindës se pse një dhunues fëmijësh MUND të kërkojë, sipas Kodit Penal, GJYKIM TE SHKURTUAR. Nëse ky miratohet me vendim gjykate, dhunuesi përfiton 1/3 ulje dënimi!!!! (Neni 403 I Kodit të Procedurës Penale NUK lejon vetëm të dënuarit më burgim të përjetshëm të kërkojnë gjykim të shkurtuar, ndërsa rasti në fjalë këtu,dënohet sipas nenit 101 të Kodit Penal nga 5-20 vjet heqje lirie.) Largqoftë bie çështja në dorë të ndonjë gjykatësi të papërgjegjshëm! Por në shoqëri si e jona me këtë incidencë të dhunës ndaj të miturve e grave, a i duhet lënë e drejta e gjykimit të shkurtuar dhunuesve të fëmijëve?! Keqardhja nuk mjafton! Ajo nuk peshon asnje gram aq sa të ndryshojë situatën!”, shkruan Bregu.