Sali Berisha nuk ka ndërmend të tërhiqet nga skenarët rusë të dhunës. Gjatë një interviste për gazetën italiane “Le Stampa”, Berisha kërcënoi se do të reagojë me të gjitha format e mosbindjes civile, duke nënkuptuar se ai nuk ka hequr dorë nga skenarët e dhunshëm rus. Po ashtu, ish kryeministri i ka bërë thirrje kreut të PD, Lulzim Basha që ta çojë vendin drejt përplasjes civile. “Do të reagojmë me të gjitha format që parashikon mosbindja civile.
Kryetari i opozitës do të vendosë së shpejti për këtë”, tha Berisha. Por i pyetur nëse në protestat e opozitës do të shpërthejnë në dhunë, ish-kryeministri deklaroi se opozita do të vijojë misionin e saj. “S’di ta them. Ne do vijojmë betejën tonë”, tha ai. Sipas tij, opozita e ka nisur aksionin e saj kundër qeverisë dy vite më parë, duke shtuar se ndërkombëtarët nuk e kuptojnë rëndësinë e vërtetë të këtyre tubimeve. “Opozita e PD, Lulzim Basha i nisi protestat para dy vitesh, që përpara zgjedhjeve, por bashkësia ndërkombëtare nuk e kuptoi rëndësinë e këtyre protestave. Rama e përdori të gjithë shtetin gjatë fushatës zgjedhore, por pavarësisht kësaj, Basha e njohu humbjen dhe ishte i pranishëm në Parlament, deri para pak muajsh, kur në shkurt të 2019-s, kur u bë dorëheqja në masë nga mandatet. Dhe tani kemi publikimin e përgjimeve nga “Bild”, që konfirmojnë gjithçka që po them”, u shpreh Berisha. Berisha kundër marrëveshjes me Ramën. Po ashtu, ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë kundër një marrëveshjeje me kryeministrin Edi Rama, duke kërkuar kështu edhe dorëheqjen e tij. “Në 2006-n, kur unë isha kryeministër, Rama ishte kandidat për Bashkinë e Tiranës dhe nuk pranonte datën e zgjedhjeve. Atëherë, kryetari i atëhershëm i shtetit Alfred Moisiu, i shtyu zgjedhjet me 5 muaj. S’e mendova për asnjë moment se mund të shkoja vetëm në zgjedhje, kushtetuta jonë imponon pluralizmin. S’mendoj se me Ramën në pushtet është e mundur një marrëveshje. Ai ka ngritur në këmbë një narko-shtet. Duhet fillimisht të dorëhiqet e më pas të lërë popullin që të votojë për Parlamentin”, tha Berisha duke i çuar mesazh Bashës.
Por ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka anashkaluar pa sulmuar ashpër edhe faktorin ndërkombëtar në Shqipëri. Ish-kryeministri deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe OSBE mbajnë sjellje të njëanshme, të cilat sipas tij nuk i shërbejnë stabilitetit në vend. Berisha tha se problemi në vend nuk është opozita por qeveria. “Tek bashkësia ndërkombëtare gjej sjellje të njëanshme të cilat nuk i shërbejnë stabilitetit të Shqipërisë. Kush mendon se problem është opozita, bën një gabim të madh që mund të ketë pasoja. S’po them se opozita është e përkryer, por problem i Shqipërisë është narkotrafiku. Ne thjesht po mbrojmë të drejtat”, u shpreh ai. Por ish-kryeministri gjithashtu doli kundër integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Sipas tij, vendi nuk është ende gati për tu bërë pjesë e unionit. “Jo, s’jemi ende gati. Francezët, gjermanët, holandezët e danezët po e kundërshtojnë hapjen e negociatave dhe ajo çka thonë për vendin tonë në fakt, përmes vëzhguesve të tyre, nuk është e gënjeshtërt. Shqipëria po gremiset në një ‘kakistokraci’, çdo vit e më keq. Jam shumë i shqetësuar nga kjo krizë e tmerrshme që po kalojmë”, u shpreh Berisha. /Elisjeda Kiko