Rihapet çështja e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Deklarata e bërë nga kryeministri grek në fund të muajit gusht bëri shumë bujë, ndërsa tashmë palët duket se do të negociojnë në terma konkretë.
Mësohet se ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias do të vizitojë Shqipërinë në datën 20 tetor. Vizita e Dendias vjen vetëm pak ditë pasi kryeministri Rama ishte në Athinë në një konference rajonale, të cilën e shfrytëzoi për disa takime edhe me drejtuesit më të lartë të qeverisë greke mes të cilave kryeministri Mitsotakis.
Rama diskutoi në takime jozyrtare për disa çështje mes të cilave edhe diskutimet e mbetura pezull mes dy vendeve për kufirin detar. Grekët këmbëngulin se do të ketë një zgjerim me 12 milje. E drejta ndërkombëtare e garanton këtë, vetëm se kleçka qëndron se cila do të jetë pika e matjes.
Mes dy vendeve do të ripërcaktohet zona ekskluzive ekonomike. Shqipëria do ta zgjerojë atë në drejtim të perëndimit drejt kuadrateve “Joni 1” dhe “Joni 2”, të cilat në bazë të marrëveshjes së 2009 i merrte Greqia. Madje, burimet thanë se Greqia dëshiron një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes, pasi dëshiron aplikimin e precedentit të përcaktimit detar me Shqipërinë ta përdorë si bazë në fazën përfundimtare të negociatave për përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike me Izraelin, Qipron, Libinë.
Megjithatë, ky precedent mund të përdoret politikisht prej saj në një negocim të mundshëm për kufirin detar me Turqinë për vendosjen e sovranitetit grek në Egje. Siç dihet, Greqia ka kontrollin e ishujve në pothuaj gjithë Egjeun të bazuar në Traktatin e Lozanës, çka kohët e fundit kontestohet prej presidentit turk Erdogan.
Pikërisht “frika” që Athina ka prej influencës së presidentit turk në politikën shqiptare, e bën këtë marrëveshje edhe më emergjente. Pra kjo marrëveshje referon një koordinatë për nisjen e punës për kufirin tokësor. Greqia dhe Shqipëria nuk kanë ende një vijë kufitare të përcaktuar vetë, që prej vitit 1914, kur vija ekzistuese u vendos nga fuqitë e mëdha.