Shkrimtari Rudolf Maku, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ka folur për dosjen e tij të përndjekjes gjatë kohës së komunizmit.
Marku rrëfeu historinë sesi ka nisur përndjekja e tij, një histori në dukje absurde, por që vijoi për dekada me rradhë.
“Kush është preference e gjahut, njerëzit e preferuar për t’u ndjekur ishin intelektualët. Fakti që lexon libra dhe ke interes, apo mendon në mënyrë të pavarur, je objekti i përndjekjes.
Fillimi i dosjes time është një aksident. Unë isha student dhe në shoqërinë tonë ne kishim, një student nga Vlora, që quhej Jorgo Nikollari. Ai u fut si xhol në shoqërinë tonë. Unë botoja poezi dhe po tërhiqja vëmendjen, me botimet e para. Ky afrohej për të dëgjuar muhabete dhe ne e pranonim.
E dëgjoj duke folur për Franc Kafkën dhe James Joyce. Befas ky student kapet duke vjedhur. Mblidhet baza e rinisë dhe i thonë që je i përjashtuar. Ai shkon në një fshat të Vlorës i thotë babait më kanë përjashtuar, sepse kam vjedhur.Babai i thotë kjo rregullohet, ke ndonjë shok që ka lakra në kokë? Ai tha po, Rudolfi.
Babai i thotë, duket nga emri që është reaksionar, nga Lezha, malok, katolik, plotëson të gjithë kushtet për armik. Vijnë babë e bir, mblidhet Komiteti i Rinisë dhe partisë. Ai thotë dakord që keni përjashtuar djalin, por ju keni një armik aty që ka folur për shkrimtarë të huaj, pëlqen muzikë të huaj, ky është armiku.
Organizata e partisë vendos që djali do të përjashtohet, sepse ka kryer vjedhje, por këto që thotë për Rudolfin të mbeten në dosje. Ky deponim i një hajduti, përbën fillimin e dosjes.
Dosja pastaj ka një logjikë në vetëvete. Ironia më e madhe, thuhet që edhe kujdestari i konviktit, edhe një bisedë e bërë me të, ai thotë se Rudolfi është I çregullt, i zgjuar dhe finok, njeri nga i cili mund të priten gjëra negative”, tha Marku.
Ai rrëfeu disa detaje nga dosja e Sigurimit për të.
“Unë isha pedagog dhe bëra apel të nxënësve të gjimnazit. Them emrin e një personi, nuk përgjigjej. Befas shoh që klasa qesh. Thanë që atë nxënës e ka ndaluar policia, një 17 vjeçar. Unë i them, merrni një këshill prej meje, kurrë mos qeshni me fatkeqësinë e një njeriu tjetër, aq më tepër kur ai është shoku juaj.
Një vajzë shkon menjëherë tek i ati, e revoltuar, kishte thënë kam vërejtje për profesor Rudolfin, sepse na tha të kemi mëshirë prër shokun. Babai e instrukton të shkruajë një letër, se si Rudolfi ka shprehur simpati për armikun e klasës. Bëhet një padi që arkivohet në dosje dhe kështu vijon të krijohet dosja.
Njëri prej kolegëve, një mësues fizike, Agim Malaj, ka qenë bashkëpunëtor. E kam patur mik fëmijërie, një njeri shumë inteligjent dhe i këndshëm, por befas më del që ai ka patur një përndjekje konseguente.
Ai në kohën kur nxënëesit rrinin në oborr, kontrollon çantat e nxënësve. Në njërën prej tyre gjen katër libra dhe supozon se ja ka dhënë Rudolf Marku. Ai thotë kapa Rudolfit duke bërë propagandë me anë të librave.
Injoranca e censurës ishte tragjike dhe komike, e dëmshme dhe e dobishme. Injoranca ndalonte romane të Balzakut dhe nga ana tjetër, “Ringjallja” e Tolstoi që është ilustrim i bibles, këtë e lanë të kalojë. Censura ishte kaq e trashë, saqë kishte një rrjetë, që linte peshqit e mëdhënj dhe mbante peshqit e vegjël. Linte gjërat më të rrezikshme…
Profesori lajmëron degën e brendshme, i thonë vajzës, do të bësh raport për përmbajtjen reaksionare të librave. Ajo sjell një shembull, që edhe në ato kohëra të errëta edhe ai që donte të bënte të mira, mund ti bënte. Ajo vajzë e kuptoi çfarë kërkonte dega dhe ajo bën një raport, thotë janë libra që dënojnë shoqërinë borgjeze, tregon se sa e pamëshirshme është borgjezia”, tha ndër të tjera Marku.
Por, gjatë rrëfimit, Ylli Rakipi dhe Arjan Curri i kërkuan të tregojë emrat, jo vetëm të spiunëve të vdekur por edhe të atyre që janë gjallë dhe sot flasim për demokracinë dhe sundimin e ligjit, ndërkohë që dikur kanë spiunuar kolegët.
“Po nuk i demaskuam, kjo histori shkon kot. Këta janë akoma edhe sot nëpër emisione televizive, opinionist, analist, politikanë, shejtanë…Këta më bëjnë moral për demokracinë dhe nuk kam guximin ti them një gjysmë llafi sepse ju nuk i keni demaskuar akoma, Dalin këto penat e arta thonë duhet të jemi me Amerikën…”, tha ndër të tjerat Curri.
Pjesë nga biseda:
Ylli Rakipi: A janë me emra konkretë njerëzit që ju kanë spiunuar? Sa prej tyre ishin kolegët tuaj?
Rudolf Marku: Janë të pazbardhur.
Arjan Curri: Po nuk i demaskuam, kjo histori shkon kot. Këta janë akoma edhe sot nëpër emisione televizive, opinionistë, analistë, politikanë, shejtanë… Këta më bëjnë moral për demokracinë dhe nuk kam guximin tu them një gjysmë llafi sepse ju nuk i keni demaskuar akoma. Dalin këto penat e arta, thonë duhet të jemi me Amerikën…
Rudolf Marku: Në faqen 109 thuhet se Pena e Artë, me objektin Rudolf Marku, do të dëgjohet me përgjues. Vendoset që të më vendoset përgjues sa herë takoj këtë njeri.
Ylli Rakipi: Këto janë procedura. Tani ne po flasim, që jemi popull spiunë. Sa nga këta të kanë thënë më fal tani? I ke takuar?
Rudolf Marku: Arsyeja që po flas për dosjen, nuk është vetëm për t’i akuzuar të tjerët. Unë jam duke folur për hir të së vërtetës.
Arjan Curri: Përse jeni kaq të mëshirshëm?
Rudolf Marku: Unë nuk dua ta gjëjnë prej meje, por prej Zotit. Kjo që thoni ju, me kërku të falur, nuk është shoqëri që kërkon të falur lehtë.
Ylli Rakipi: Secili sot është në punë të vetë. Ju jetoni larg tani, por një pjesë janë njerëz publikë të rëndësishëm.
Rudolf Marku: Ka një koicidencë të jashtëzakonshme në dosjen time. Bashkëpunëtoret udhëzohen të merret ndonjë fletë si provë materiale. Vijnë disa bashkëpunëtorë, thonë na lexo, ata thonë janë reaksionare dhe mundohen të marrin një fletë, por nuk i merrnin dot. Dega e brendshme fillon të humbasë durimin, thonë ju kemi dhënë urdhër. Njëri prej tyre, fut një poezi pa emër autori në dosjen time dhe pretendon që është e imja. Ai kopjon një poezi dhe thotë ja ku është poezia e Rudolf Markut.
Është ekspertiza, vjedhja e 73 fletëve nga fletoret e mia, për të provuar shkrimin. Ajo shihet që nuk është shkrimi im. Por eksperti i shkrimeve, urdhërohet të thotë po, që është shkrimi im. Atëherë i çohet një eksperti që është drejtori i shkollës time, që është mësues i letërsisë. Ai bën ekspertizë, thotë është reaksionare, pesimiste dhe bën ekspertizë me gjashtë faqe. Ky është Mark Vuli, që ka vdekur.
Arjan Curri: Kur i shoh analistët, them me vete mos është edhe ky spiun? Njëri flet me dialekt fiks si zoti Marku.
Ylli Rakipi: Është nga Lezha?
Arjan Curri: Po, po.
Ylli Rakipi: Problemi është që Rudolfi po tregon këta të vdekurit vetëm dhe këta që janë nga Shkodra.
Arjan Curri: Ne duam ata nga Lezha.
Ylli Rakipi: Ata nga Lezha dhe Tirana.