Përditë shqiptarët bombardohen me lajme që në asnjë vend normal nuk i dëgjon askush. Komunikimi i opozitës shqiptare, është shfrenuar dhe lëshon deklarata të tmerrshme, jo vetëm për ato që ndodhin në Shqipëri, po edhe në gjithësi. Vetëm për një javë opinioni në vendin tonë, është bombarduar me akuza dhe deklarata që nisin nga Sri Lanka , e cila qenka vepër e Erjon Veliajt si soroistë dhe përfundojnë tek baza e NATO-së në Porto Romano në Durrës.
Sapo, Rama, deklaroi se në Durrës,NATO mund të ndërtoj bazë detare për anijet që i shërbejnë NATO-së, menjëherë nisën edhe akuzat se qeveria po përgatit një mega korrupsion. Të flasësh në këtë mënyrë për një nga organizmat më të fuqishme ushtarake globale dhe ta trajtosh sikur jemi në pazarin e gjësë së gjallë apo atje ku shiten shalqi, fruta dhe perime, është fyerje e rëndë që i bëhet, jo kryeministrit të Shqipërisë mbi të cilin nuk ka më vendit ç`të shtohet në kurrizin e tij, po ta trajtosh fuqinë ushtarake të NATO-s, si të ishte një grumbull shakaxhinjsh, të paditur që një individ nga Shqipëria edhe pse, kryetar i qeverisë shqiptare, është duke e manipuluar rendshëm dhe kërkon të bëj një allashverish për t`u pasuruar.
Më tutje se kaq nuk mund të shkoj asnjë përfytyrim i cilido lideri në tërë botën, jo vetëm atë perëndimore, po deri në cep të globit, ku jetojnë njerëz. NATO, trajtohet sikur është vajza e brishtë, nën moshën madhore që mund ta marrësh përdore dhe ta trajtosh si të dojë qejfi. Mos të harrojmë se është organizmi që i ka të gjitha që nga kontrolli dhe teknologjia, inteligjenca dhe specialistët e kibernetikës dhe të zbulimit dhe nuk ka burrë nëne që ta mashtroj dhe të përfitoj në kurriz të aleancës.
Në se NATO nuk është dakord me një investim, ai nuk kryhet dhe këtë e dinë mirë akuzatorët dhe të gjithë ata që kërkojnë të hedhin baltë si për çdo nismë që ndodh në këtë vend e cila bombardohet sapo dëgjohet nga veshët opozitar. Po pse more zotërinj të opozitës, çupëlinë është kjo NATO-ja që ta vjeli Rama apo të korruptohet prej tij? Ku e mbështetni këtë deklaratë tek fantazia juaj e shfrenuar dhe qëllimkeqe për të bërë pisë gjithçka ndërmerret në këtë vend edhe kur është investim në të mirë të garancisë dhe sovranitetit të Shqipërisë? Keni plot mundësi për të akuzuar dhe shumë nisma të këtushme për të hedhur baltë mbi qeverinë, Ramën dhe secilin ministër.
Po kjo goditje që jeni duke bërë iu zvogëlon dhe u bën liliputë dhe të pabesueshëm edhe tek fëmijët e klasës së parë. Nuk ka mbetur NATO që t`i qajnë hallin liderët e këtushëm të opozitës. Liderët tanë opozitarë janë brenda korinizave të axhendës së tyre nihiliste dhe agresive për ta paraqitur gjithçka në ngjyrë të errët dhe të zbehin çdo nismë në interes të zhvillimit të ekonomisë dhe sigurisë së mbrojtës së atdheut tonë. Në se ka një nismë që duhet duartrokitur në rrethanat në të cilat gjendet sot bota dhe vet pozicioni i Shqipërisë e cila është totalisht në mbështetje të aksionit global kundër pushtimit Rus në Ukrainë , është pikërisht kjo nismë, e cila mirëpritet nga çdo qytetarë i këtij vendi.
Pasi zgjidhën dhe mbaruan punë me PD, foltoristët mendojnë se u ka ardhur radha të mbrojnë organizmat e rëndësishme botërore?! Pasi mbrojtën BE nga sulmi putinist i Edi Ramës, sot janë duke marrë në mbrojtje NATO-n të cilën kërkon ta fusi në qorrsokak Rama. Fantazi e kulluar apo jo?Po si ka reaguar PD, pjesë e opozitës drejtuar nga Berisha në lidhje me këtë aferë që trajtohet sikur është vepër e mafies dhe jo e një shteti serioz? E gjithë propaganda, është që të ketë dështim të plotë. Që selia e NATOS në Bruksel të deklarohet Jo.
Që procesi të bëhet pis dhe të paraqitet i përmbysur. Po ky nuk është dëmi i mazhorancës as i Ramës. Nga kjo betejë e pistë humbasin tërë shqiptarët, demokratë e socialistë të cilët falen dhe betohen para të njëjtit flamur dhe jetojnë e punojnë në të njëjtin atdhe në Shqipërinë tonë. Ende nuk kanë mbaruar me revolucionin që do bëjnë nën shembullin e asaj që ngjau në ishullin në cepin e Indisë dhe betimi se këtu tek ne do ndodhi e njëjta situatë e thënë kjo pothuaj një zëri nga të gjithë foltoristët dhe mbështetësit e tyre, opinionistë të rënë nga fiku, ish deputet që dalin me sfurk në duar sa herë u jepet rasti fatlum të kenë përball një mikrofon për të folur.
Zëdhënësja e PD, Floriana Garo, kuptohet në emër të partisë, ka bërë një deklaratë për mediat, ku i drejtohet NATO-s, sipas së cilës prapa idesë së portit ushtarak të Porto Romanos të Ramës, fshihet një nga aferat më të mëdha korruptive të kohës, që është spostimi i portit ekzistues tregtar dhe ushtarak mijëra vjeçar të Durrësit për në Porto Romano.
Sipas tyre, ky spostim bëhet pas një marrëveshje të Edi Ramës me El Amar, president i një kompanie në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’i dhënë kësaj kompanie një milion metra katror territor të portit ekzistues të Durrësit, marrëveshje, në të cilën kryeministri, dhe politikanë të tjerë shqiptarë, kanë interesa direkte, është jotransparent dhe korruptive?!
“Këto ditë Edi Rama ka deklaruar, në mënyrë të përsëritur, se NATO ka treguar interes për të ndërtuar në Porto Romano një port ushtarak. Partia Demokratike deklaron se, ka mbështetur dhe mbështet plotësisht bashkëpunimin e ngushtë të Shqipërisë me NATO-n, si vend anëtar i saj, dhe çdo projekt, në det, tokë dhe ajër, që i nevojitet Aleancës së Atlantikut të Veriut në territorin e Shqipërisë. Ne, gjithashtu, informojmë NATO-n se, prapa idesë së portit ushtarak të Porto Romanos të Edi Ramës, fshihet njëra nga aferat më të mëdha korruptive të kohës: Spostimi i portit ekzistues tregtar dhe ushtarak mijëra vjeçar të Durrësit për në Porto Romano. E duan opozitarët, NATO-n edhe bazat po vetëm kur i inicion vet! Ky është thelbi i logjikës opozitare!
Ky spostim bëhet pas një marrëveshje të Edi Ramës me El Amar, president i një kompanie në Emiratet e Bashkuara Arabe, për t’i dhënë kësaj kompanie, në kundërshtim me çdo rregull,një milion metra katror territor të portit ekzistues të Durrësit. Sipas Ramës ky do të jetë truall për ndërtime si në Dubai City. Kjo marrëveshje, në të cilën dyshohet se kryeministri, dhe politikanë të tjerë shqiptarë, kanë interesa direkte, është jotransparente dhe korruptive. Dhe këtu zgjerohen akuzat. Për të nxirë edhe më shumë Shqipërinë, gjuha bëhet më e drunjtë! Pozicioni i Shqipërisë sa i takon medias është përkeqësuar vitin e fundit me 20 vende.
Shqipëria është sot njëri nga prodhuesit kryesor të kanabisit në botë. Sivjet kaloi në prodhimin dhe trafikun e kësaj droge, Indinë dhe Iranin. Përveç kësaj, Shqipëria është rrugë kryesore e trafikut të heroinës nga lindja drejt Europës. Ajo po bëhet çdo ditë e më shumë qendër e rëndësishme e trafikut të kokainës nga Amerika Latine. Pavarësisht nga kjo gjendje tejet problematike me prodhimin dhe trafikimin e drogës, Edi Rama ka përgatitur dy ligje të rrezikshme për vendin , Ligjin për legalizimin e kanabisit, gjoja për qëllime mjekësore, dhe,Ligjin për amnistinë fiskale, për legalizimin kryesisht të parave të drogës dhe krimit, me të cilat ai përkeqëson edhe më tej problematikat e lidhura me drogën dhe trafikun e saj dhe rrezikon sigurinë e Shqipërisë dhe të Aleancës, për shkak të bashkëpunimit potencial të grupeve te trafikantëve me grupet terroriste.
Ky reagim vjen pasi Rama pritet sot të takojë Stoltenberg, ku ka sqaruar se qëllimi është për të thelluar bisedimet për bazën e NATO-së në Durrës. Ky projekt ka të bëjë me instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri të Durrësit në Porto Romano, sipas së cilit ka ngjallur shumë interes dhe dëshirë. Po qëndrimi i PD-së është kundërshtues, akuzues qëllimkeq. PD nuk ka hallin e NATO-së se aleanca i zgjidh vet problemet dhe ka radarët më të fuqishëm për të ruajtur paprekshmërinë dhe integritetin e vet.
E gjithë propaganda anti Rama synon që kjo nismë të dështoi me sukses. Dhe kjo quhet fitore e opozitës e cila me këtë gjuhë komunikon edhe për integrimin edhe për politikën edhe për Europën edhe për Amerikën. Dështimet e mazhorancës, llogariten si fitore madhështore për opozitën tonë! /NGA BARDHYL BEJKO