Secili e mban mend një djalosh të pashëm, trupmadh e me mjekër që i ka qëndruar gjithmonë Sali Berishës pranë. Pas incidentit të 6 dhjetorit, kur Gert Shehu e qëlloi me grusht, truproja kryesor i Berishës është larguar nga shërbimi.
Në daljet publike thuajse të përditshme të doktorit, nuk duket bodyguadi i bëshëm, i cili e ka ruajtur që ditën kur ka lënë detyrën e kryeministrit.
Ndërkaq, bën përshtypje se eskorta e Berishës, është rritur shumë, sa ka arritur një numër të pazakontë për një person, i cili nuk është më një zyrtar i rëndësishëm shtetëror.
Vetëm në protestën e sotme, Sali Berishën e kanë ruajtur gjithsej 15 persona që mbanin kufje në vesh, pra ishin të organizuar si zinxhir i sigurisë së ngushtë trupore.
Po nga kush ruhet Sali Berisha?
Kush janë këta persona që marrin pjesë në ruajtjen e tij fizike? Janë të armatosur? Nëse po, kush ja lejon armët, kur Sali Berisha nuk e përfiton gjithë këtë siguri si ish-kryeministër?
Sipas ligjit, një ish-kryeministër ruhet nga Garda e Republikës edhe 5 vjet pas lënies së detyrës, ndërkohë që Berisha ka fiks 10 vjet që nuk është më kryeministër.
Natyrisht që truprojet janë private, e sipas gjasave pjesë e një policie të liçensuar për të ruajtur fizikisht persona fizikë dhe juridikë. Po sa janë kostot e një shërbimi të tillë? Sikur, secili prej 15 truprojeve të marrë të paktën 600 euro në muaj për këtë shërbim, i bie më shumë se 10 mijë euro në muaj, e më shumë se 100 mijë euro në vit. Një kosto që natyrisht nuk del nga arka e Partisë Demokratike, por nga rrugë private.
Po kush i paguan?
Ndoshta masa e sigurisë për Sali Berishën është e nevojshme, pasi edhe si pasojë e pushtetit të gjatë të tij, duhet që të merren masa të tilla. Por nuk është aspak normale që një politikan, që e konsideron veten lider të opozitës të ketë frikë nga njerëzit e të rrethohet nga “gorilla” të armatosur. Mesazhi që shpërndan në publik është krejt antiopozitar, e në shpërpjesëtim me çdo mundësi për të ngjallur shpresë.
E vetëm pamja e kësaj mbrojtje që e kanë vetëm politikanët me cene në të gjithë botën, është shkaku më i madh se pse nuk i shkon njeri prapa. Se në fund, Berisha ka frikë nga njerëzit, ndaj i kanë vënë prapa një eskortë që thuajse është sa e Erdoganit.
/Pamfleti