Ndërkombëtarët kanë shpërthyer dje në kritika shumë të forta në adresë të politikës shqiptare dhe veçanërisht për opozitën joparlamentare sa i takon dështimit të reformës zgjedhore. Të dielën u mblodh tryeza e Këshillit Politik të reformës zgjedhore, por palët nuk arritën të gjenin gjuhën e përbashkët dhe të arrinin një marrëveshje.
Kjo ka bërë që dje ambasadorët e huaj të atashuar në vendin tonë të reagojnë pas dështimit të përmbylljes së reformës zgjedhore brenda 31 majit. Fillimisht ka qenë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, e cila përmes një statusi në rrjetet sociale iu ka bërë thirrje partive politike që t’i japin fund pozicioneve të papajtueshme dhe të mos vendosin më kushte të reja. Sipas zonjës Kim tashmë ka ardhur koha që palët ta mbajnë fjalën para shqiptarëve për këtë reformë.
“Të gjitha palët kanë treguar lëvizje dhe ato janë jashtëzakonisht të afërta. Ju vendosët një qëllim, ju vendosët një afat më 31 maj. Tani është koha që të ndaloni të insistoni në pozicione jo të zbatueshme dhe mos vendosni kushte të reja. Koha për t’ua mbajtur fjalën ndaj njerëzve tuaj. Koha për të ofruar”, deklaroi ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Pra, duket qartë që kjo shuplakë e amerikanëve shkon për opozitën joparlamentare, e cila së fundmi ka nxjerrë kushte të reja, pasi mazhoranca socialiste ka artikuluar më herët një nga pushtetet e saj për depolizitimi e komisioneve zgjedhore.
BE: Mbyllni sa më shpejt reformën zgjedhore
Pas ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë një mesazh për gjetjen e një marrëveshjeje të menjëhershme nga Këshilli Politik për të miratuar reformën zgjedhore e ka përcjellë edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigji Soreca. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Soreca kërkoi dje nga partitë politike që të mbyllin sa më shpejt reformën zgjedhore, ndërsa ka vënë në dukje faktin se miratimi i saj është tejet i rëndësishëm sa i takon integrimit të vendit tonë drejt BE.
“Përfundimi i reformës zgjedhore plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR është kusht i domosdoshëm për të ecur përpara me integrimin në BE. Një marrëveshje e menjëhershme nga të gjitha palët në Këshillin Politik është e mundshme dhe duhet të përfundohet tani për të filluar me negociatat e pranimit në BE sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi ambasadori i BE në Tiranë, Luigji Soreca.
Britania thirrje për dakordësi
Por edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman, reagoi ditën e djeshme pas dështimit të konsensusit mes palëve politike për reformën zgjedhore. Përmes një statusi në rrjetet sociale ambasadori Norman bëri apel për gjetjen e dakordësisë, në mënyrë që të miratohet reforma zgjedhore sa më parë sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR. “Këshilli Politik u krijua për të sjellë në Shqipëri një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse në përputhje me kërkesat e ODIHR-it.
Sot është dita për ta vënë popullin e Shqipërisë të parin dhe për të gjetur dakordësinë e nevojshme për të çuar vendin përpara”, deklaroi ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman. Pra, këto reagime të diplomatëve të huaj të atashuar në vendin tonë tregojnë qartë se SHBA, BE dhe Britania e Madhe janë tejet të interesuara për të çuar përpara reformën zgjedhore.
Opozita tërhiqet
Por ultimatumi ndërkombëtar duket se ka dhënë efekt, pasi opozita ka kërkuar që të rinisin mbledhjet e Këshillit Politik. Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kanë kërkuar që të ketë sot pasdite një takim për të diskutuar mbi gjetjen e dakordësisë./NGA RIGELS SELIMAN