Një javë më parë, sindikata e pedagogëve njoftoi se do t’i bashkohej protestës së studentëve, ndërsa premtoi se do të marshonte çdo ditë në orën 10:00 nga Universiteti Politeknik drejt Kryeministrisë.
Por kjo rutinë duket se është thyer pas 24 tetorit, që ishte dhe dita kur protesta degjeneroi edhe në disa nga episodet më serioze të dhunës në rrugë kundër policisë dhe djegies së institucioneve dhe bizneseve, ndërsa protestues të maskuar jo vetëm u strehuan në selinë e Partisë Demokratike, por u panë ta përdornin atë edhe si bazë logjistike të tyre.
Nga e shtuna, diçka ka ndryshuar në rutinën e protestës së pedagogëve. Ndërsa një grup i tyre u shfaq sot para Ministrisë së Arsimit për të denoncuar dhunën e përdorur nga policia, rituali i marshimit të orës 10:00 nuk u përsërit sot. Të paktën jo nga sindikata e pedagogëve, e cila këto ditë duket se është zhdukur nga hapësira publike që kishte zënë deri në 24 tetor.
Po, çfarë ndodhi? A ka përfunduar bojkoti, apo pedagogët thjesht ndryshuan strategji? Apo mos ndoshta marshimi synonte qysh në fillim ta kanalizonte protestën e studentëve drejt Partisë Demokratike, një destinacion i natyrshëm për një sindikatë ku siç u pa, shumica e anëtarëve kanë qenë ose janë ende pjesë e kësaj partie? Dhe, nëse ky ishte qëllimi qysh në fillim, a vendosën pedagogët të tërhiqen në momentin që e realizuan atë, duke e kanalizuar protestën në territorin e Partisë Demokratike?
Ndoshta, arsyet për ndryshimin e rutinës së tyre mund të jenë shumë më banale se kaq, por nëse premton se do të marshosh çdo mëngjës në të njëjtën orë drejt ndërtesës së Kryeministrisë për të protestuar, atëherë edhe tërheqja e papritur prej kësaj shërben si një deklaratë politike. Veçanërisht kur kjo mungesë vjen menjëherë pas 24 tetorit, ditës kur kufiri mes mobilizimit studentor dhe atij partiak, praktikisht u fshi.
