Ka dështuar në Maqedoninë e Veriut, tentativa e opozitës maqedonase nacionaliste dhe asaj shqiptare që të rrëzojë qeverinë e koalicionit ndërmjet Zoran Zaevit dhe Ali Ahmetit.
Partia BESA, e cila mori 4 deputetë në zgjedhjet e dy viteve më parë, si pasojë e koalicionit me LSDM-në e Zaevit, mori vendimin për të ikur nga qeveria, të premten e shkuar. Kjo bëri që e gjithë opozita të firmoste një mocion për rrëzimin e qeverisë, me pretendimin që kishte 61 vota, pra shumicën e Kuvendit prej 120 deputetëve.
Por në mënyrë të papritur një deputet nga partia BESA ka refuzuar të marrë pjesë në seancë, duke rrëzuar planin e opozitës.
Përmes një mesazhi video, deputeti i BESA-s, Kastriot Rexhepi ka deklaruar se është shëndosh e mirë dhe se Bilall Kasami dhe të tjerët nuk duhet të shqetësohen për sigurinë e tij. Ai akuzoi kolegët e tij se e kanë kërcënuar me jetë.
Deputeti Rexhepi theksoi se sapo të qetësohen dhe sqarohen gjërat do të del para mediave dhe të tregojë të gjitha.
Ai u shpreh se është në anën e shqiptarëve, në anën e BE-së dhe NATO-së.
Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së,(mazhorancës qeverisëse) Jovan Mitrevski tha se qeveria do të ketë shumicë më të madhe parlamentare dhe se kjo do të shpallet nesër.
Ai tha se VMRO-DPMNE edhe një herë e ka gënjyer opinionin me pretendimet se kanë shumicë për mosbesimin e qeverisë, ndërsa seanca e votimit është ndërprerë gjatë gjithë ditës për shkak se nuk ka kuorum, sepse deputeti i Besës, Kastriot Rexhepi nuk është në dispozicion.
“Mickoski ka të drejtë për një gjë, se qeveria ka një shumicë më të madhe parlamentare. Ngjarjet e së nesërmes le t’ju marrin nga ata që duhet t’i thonë ato, tha Mitrevski.
Ai tha se deputeti Kastriot Rexhepi nuk ka pasur presion nga qeveria por presioni ka qenë nga opozita dhe këtë do ta thotë së shpejti. Mitrevski po ashtu tha se nuk ka kontakte me Rexhepin, por se duke e njohur si koleg deputet, beson se i përkrah integrimet evropiane të vendit.