Shpërthen skandali me shortin për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Dje në ambientet e Presidencës u mbajt ceremonia për të zgjedhur 11 anëtarët e rinj të KED dhe anëtarët zëvendësues, ku nuk kanë munguar surprizat. Edhe pse sytë ishin te sjellja e presidenti me kandidaturën e Ardian Dvoranit, çudirat ndodhën me kandidatët e Gjykatës Kushtetuese.
4 emrat që kishte dërguar gjykata për kandidatë ishin: Vitore Tusha, Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllarit. Por futja e Xhaferllarit në listë dhe më pas në short duket se minon të gjithë procesin. Vetë këshilltari ligjor i presidenti që drejtoi shortin, deklaroi se një ditë më parë u është drejtuar të gjitha institucioneve për të marrë informacion nëse kandidatët vijojnë të përmbushin kushtet, pasi mund të ketë pasur masa ndaj tyre që i penalizojnë nga gara. KLGJ njoftoi se 4 gjyqtarë duhet të hiqen nga lista, pasi kanë ngelur në veting dhe janë nën hetim. Por për çudinë e të gjithëve, Kushtetuesja i ka konfirmuar presidentit listën me 4 emrat edhe pse ka një vendim nga Kolegji i Apelimit për Marsida Xhaferllarin. KPA la në fuqi vendimin e KPK, ku thuhet qartë se ajo nuk ka status magjistrati, pra nuk është as gjyqtare e as prokurore.
Kushti bazë që një anëtar të jetë pjesë e Kushtetueses është që të ketë status magjistrati dhe të ketë kaluar vetingun. Asnjë nga këto nuk plotëson Xhaferllarin. Po ashtu neni 221 në ligjin për organet e drejtësisë tregon kushtet për kandidatët e KED dhe në çdo pikë përdoret fjala “magjistrat”, por Xhaferllari nuk e ka këtë status. Pavarësish kësaj, shorti u hodh dhe në një farë mënyre plani i Metës për të kapur disi KED dështoi. Përfaqësues të Kushtetueses në KED u zgjodhën: Fiona Papajorgji dhe Vitore Tusha, ndërsa Marsida Xhaferllari u zgjodh anëtar zëvendësues.
Shkeljet dhe roli i Tushës
Xhaferllari u zgjodh zëvendësuese dhe mund të mos i bjerë kurrë rasti të jetë në KED, por normalisht lind pyetja: Si mund të përfaqësojë Kushtetuesen në KED një emër i cili nuk ka kaluar vetingun dhe për të nuk ka një vendim kolegjial nga Kushtetuesja nëse i takon apo jo mandati. Por duket se frenat e Kushtetueses i ka marrë Vitore Tusha. Edhe pse i ka skaduar mandati dhe nuk është zgjedhur me votë kryetare, kompetencat e kryetarit i ka përvetësuar ajo. Ndërkohë që Kushtetuesja është një organ kolegjial dhe nuk mundet që një njeri të bëjë ligjin. Vitore Tusha nxori në mënyrë flagrante emrin e Xhaferllarit te faqja e Kushtetueses dhe po në shkelje të ligjit dërgoi kandidaturën e saj te presidenti. Duket qartë se ka qenë një plan i mirëmenduar Meta-Tusha që Xhaferllari të katapultohet në KED. Por duket se disi ky plan dështoi pasi ajo do të jetë zëvendësuese. Megjithatë përbën skandal, pasi një anëtare që nuk e njeh Parlamenti dhe KED tenton të marrë një tjetër post pa plotësuar kriteret.
Dvorani dhe Marku
Në shortin e djeshëm pritej që Meta të nxirrte pretekste për Ardian Dvoranin, por plani i tij ka dështuar. KLGJ në shkresën që i ka dërguar Metës dy ditë më parë ka bërë të ditur se për të nuk ka asnjë ndjekje penale apo masë disiplinore dhe ai vijon të jetë kandidat. Në këtë mënyrë Dvorani u zgjodh anëtar dhe kryetar i KED, duke qenë se është gjyqtari i vetëm në Gjykatën e Lartë. Meta e paditi penalisht me shpresën se do penalizohej, pasi ligji e përcakton se një kandidat nuk duhet të jetë në ndjekje penale, por prokuroria nuk e ka marrë ende në shqyrtim dosjen. Po ashtu, për ironi anëtare e KED u zgjodh Arta Marku. Teksa Olsian Çela i mori postin, Markut, i ra shorti dhe për një mandat tjetër në KED. Edhe ajo ka qenë objekt i sulmeve të presidentit. Pra dy “armiqtë” e tij janë sot anëtarë të KED. Për të mos thënë se Papajorgji është e zgjedhura e Parlamentit. Të gjitha këto tregojnë se plani i Metës për të kapur KED dështoi, pasi vetëm Vitore Tusha vijon t’i qëndrojë besnike.