CNA.al, ka mësuar nga burime të konfirmuara zyrtare, se në Durrës ka ndodhur një skandal elektoral, i cili po mbahet sekret nga të gjitha palët.
Punonjës të SHISH, janë përfshirë në fushatë elektorale.
Mjetet me targa false janë fotografuar e regjistruar pranë zyrave të Partisë Socialiste, në zonën e ish kënetës, në plazhin e Durrësit si edhe në Shijak.
Persona të identifikuar me inicialet Y.Z., E.B. dhe M.B, janë fotografuar dhe filmuar në tre zonat e mësipërme dhe pas dyshimeve nga militantë të PS, janë dërguar në Polici.
Dy prej personave, pasi janë dërguar në polici, deri në momentin e fundit nuk kanë pranuar të flasin, nuk kanë paraqitur dokumenta, por në fund kanë reaguar duke nxjerrë dokumenta, ku konfirmohej se ishin punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Skandali po mbahet sekret edhe nga policia, por edhe nga strukturat e tjera shtetërore.
Ky është një rast flagrant, i padëgjuar më parë që po na kthen gati 20 apo 30 vite më pas kur SHISH, përdorej si bandë politike në fushatë.
Pas skandalit të SHISH dhe përfshirjes së tyre në fushatë, duke monitoruar zyrat e Partisë Socialiste qëndron direkt Bahri Shaqiri, kandidat i LSI-së,në Durrës, i cili është edhe këshilltar i Presidentit Ilir Meta dhe ish kreu i SHISH –it, disa kohë më parë.
Ilir Meta nuk ka reaguar dhe nuk ka thënë asnjë fjalë ende për këtë skandal, i cili po përpiqet, e theksojmë edhe njëherë që të mbahet shumë sekret edhe nga Policia e Shtetit, e cila ka pasur në dorë, të gjithë dokumentacionin, pasi ka bërë shoqërimin e personave në ambjentet e Drejtorisë së Policisë, të cilët kanë deklaruar se janë punonjës të SHISH-it dhe janë verifikuar zyrtarisht .
CNA.al e ka konfirmuar nga burime zyrtare në Polici këtë fakt dhe do të sjellë edhe pamje filmike ekskluzive të momentit, kur punonjësit e SHISH, kapen nga militantë të PS dhe më pas shoqërohen në ambjentet e Policisë, ku edhe kanë deklaruar se i përkasin institucionit të drejtuar më herët nga Bahri Shaqiri./CNA.al