Avokati Spartak Ngjela ka shpërthyer dje në akuza ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se SPAK duhet që të arrestojë gjyqtarin i cili i dha foltores selinë e Partisë Demokratike, ndërsa theksoi, se gjyqtari është i afërt i Berishës.
Ai theksoi, se ish-kryeministri Sali Berisha është një person i korruptuar.“Saliu, me një zjarr të shtirur dhe me frikë në fytyrë e me buzë të çarë, ka filluar luftën me retorikë denoncuese antikorrupsion. Por, të gjithë e dinë se, edhe vetë Saliu është i korruptuar. Atëherë? Asgjë: kjo është një komedi fshatareske, por gjithsesi, një komedi është. Por, komedia vijon, sigurisht.
Dhe, si komedi, kjo është një komedi me shumë akte që ecën bashkë me frikën e Saliut. Pse? Shumë shpejt Saliu pritet të jetë në një goditje serioze në opinionin publik, sepse po rezulton që ai, në vitin 1997, si President i Shqipërisë, ka emëruar ndihmës gjyqtarin Agron Zhukri që dha vendimin e regjistrimit në gjykatë të pseudo kongresit të tij fantazmë. Gjyqtari qenka vetëm me tetë klasë dhe me falsifikime kudo. Komedi korruptive berishiane, kuptohet. Por, a do ta arrestoje SPAK- u gjyqtarin Zhukri?
Të shohim, por këtu do të vijë e të bëhet edhe më me vlerë komedia Berisha, sepse ky gjyqtari fals paska qenë i afërt i familjes Berisha. Turp”, tha ai. Ndër të tjera, Ngjela u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha është duke luftuar korrupsionin për të vendosur drejtësinë me njerëz të cilët i mbronte para disa vitesh. Ai theksoi, se SHBA e ka dosjen gati për Berishën.
“Ku i numërohen bëmat primitive Sali Berishës! Do qeshin të gjithë. Por Saliu nuk shpëton dot nga halli. Dhe komedia do të vijojë… Sepse, edhe pse vetë është non grata në Amerikë për korrupsion, me të gjithë familjen e tij, i korruptuari i identifikuar nga FBI, Saliu, po lufton korrupsionin për të vendosur drejtësinë në Shqipëri me gjyqtarët e tij në falsitet, të cilët doli t’i mbronte para disa ditësh, përse këta ishin shkarkuar se nuk e justifikuan dot pasurinë e tyre!!”, tha ai.
Ngjela: Berisha nuk e merr dot PD me dokument fals
Ndërkohë, avokati Spartak Ngjela, u shpreh se disa kanë shpresë se Berisha do të marr drejtimin e partisë me dokumentin flas të gjyqtarit. Sipas tij, Berisha po kërkon që me takimet po zhvillon do ti tregojë Amerikës se shqiptarët janë me të.
“Po vijon xhirimin e tij në vakum me gënjeshtra për të mbajtur në këmbë radhën e tij të korruptuar që të tregojë forcën në Shqipëri. Por, në këtë kohë, të gjithë të korruptuarit e mëdhenj, të trembur nga koha, politikanë dhe gazetarë, janë gjithë shpresë që Saliu, me dokumentin fals të gjyqtarit Zhukri, të marrë Partinë Demokratike.
Asgjë. Po lodhet në vakum i shkreti, por komedia e tij vijon. Dhe filloi sërish komedinë skenike se nuk po di si ta marrë Partinë Demokratike, në një kohë që nuk është anëtar i saj.
Prandaj po del sërish nëpër Shqipëri dhe po flet nëpër foltore. Nuk thotë dot asgjë, por i duket se po e “tremb” Amerikën, sepse kërkon t’i thotë asaj që popullin shqiptar ai e ka me vete. Kurse politika amerikane qesh e tallet me frikën e tij. Pse, nuk ka informacion politika amerikane që ky flet nëpër dhoma të mbyllura me njerëz të paguar dhe me bandat e tij lëvizëse?”, tha ai.