Avokati i njohur Spartak Ngjela ka lëshuar dje kritika të forta ndaj presidentit Ilir Meta. Të martën kreu i shtetit ka hedhur akuza ndaj qeverisë dhe paralajmëroi tensione në Vlorë, ndërsa avokati ka komentuar me anë të një postimi në rrjetet sociale sjelljet e presidentit Meta.
Sipas tij, presidenti po paguan bandat kriminale për të bërë terror në vend. Teksa përmendi edhe operacionin e ndërmarrë ditët e fundit ku u konfiskuan një sasi e konsiderueshme armatimesh në Tiranë, Ngjela tha se kjo ngjarje mund të vijë si pasojë e parave të paguara nga Meta për bandat kriminale. Ai theksoi se krimi nuk ka asnjë forcë që të bëjë terror në vend pasi sipas tij ka frikën e shtetit.
“Ky Meta nuk ka asnjë lloj force, veç duarve dhe parave të vjedhura, fare forcë nuk ka, atëherë pse kërcënon Shqipërinë me ushtrim force? Po paratë? Ndoshta ka menduar që me paratë e tij të paguajë, për terror, individë të krimit. Por, ama, në këto ditë edhe një arsenal armësh po i kapen krimit të organizuar. A thua të jetë rastësi kjo? Mos vjen kjo ngjarje nga hedhja në veprim e parave të Metës drejt bandave kriminale dhe këto tani po kapen nga sistemi i sofistikuar perëndimor në Shqipëri? Edhe nëse është kështu, që Meta po paguan krimin, prapë kjo është dobësia e tij.
Krimi shqiptar nuk ka kurajë për të ushtruar terror antishtetëror, se e ka shumë frikë shtetin”, tha ai. Ndër të tjera, avokati Ngjela ka vijuar më tej duke thënë se presidenti pas zgjedhjeve të 25 prillit ka thënë se do të marrë pushtetin me dhunë, ndërsa nga ana tjetër sipas tij kërkon takime me kryeministrin Rama. Ai deklaroi se Meta është duke kërkuar edhe ndihmë për shpëtim nga ish-kryeministri Sali Berisha duke e lavdëruar këtë të fundit si lider shtetformues. “Një herë Meta na thotë se do të bëjë kryengritje.
Pastaj, ai na thotë që 26 prilli është marrja e pushtetit me dhunë çliruese. Pastaj, na tha që ky vetë do të priste duar vjedhësish të votave. Pastaj, i kërkon takim Ramës për zbutje, dhe ky nuk ia jep. Pastaj, ai ngre lart figurën e Sali Berishës, “si një lider me aftësi humane dhe shtetformuese”, në mënyrë që ky ta ndihmojë Metën në një kryengritje antiamerikane në Shqipëri. Pse, o Metë, e ka harruar vitin 1997 Saliu”, tha Ngjela.
Ngjela flet për frikën e presidentit ndaj SPAK
Avokati Spartak Ngjela shkruan se presidenti Meta është katandisur në një person qesharak, duke shtuar se ky i fundit i trembet edhe SPAK-ut. Ai theksoi se presidenti ka bërë edhe kërcënime në drejtim të amerikanëve, por ata nuk i trembën atij. Avokati Ngjela vijoi më tej duke thënë se presidenti me këto do të tregojë forcë, por nga ana tjetër nuk ka forcë të bëjë asgjë. “Çfarë po ndodh me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta? Kjo është pyetja që e ngrenë të gjithë. Madje edhe ndërkombëtarët që kanë ndenjur larg kësaj çështjeje. Po, pse është katandisur Ilir Meta në këtë lloj dehjeje patologjike? Është rrjedhojë e frikës nga SPAK. Por lodhet kot. Meta, SPAK-ut nuk i shpëton dot. Kërcënimi fëminor nuk e tremb dot politikën amerikane.
Por, a nuk e di Meta këtë? Shthurja mendore shpesh e çon në infantilizëm pushtetarin e akuzuar, dhe kjo moshë mendore prej fëmije, e katandis atë në një person qesharak, duke bërë të fortin, kur është pa fare forcë”, bëri me dije ai. Sakaq, avokati teksa iu referua sulmeve që presidenti ka bërë ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim, tha se presidenti e mori përgjigjen nga amerikanët. Ai vijoi më tej duke e krahasuar Metën edhe me Hitlerin. “Pastaj, Meta godet ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim dhe thotë që atë e drejton Edi Rama. Pastaj, pasi ia thyen hundët zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit, Matthew Palmer dhe i thotë që ambasadorja Yuri Kim ka vepruar vetëm sipas porosive që vijnë nga Uashingtoni, Meta hesht dhe i sulet Uashingtonit dhe gjithë Perëndimit, njëlloj siç sulej Hitleri mbi shtetet që pushtonte”, tha avokati. / SIDORELA BRAÇJA