Çështja për mandatin e kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, njëherësh anëtar i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, ka ndezur sërish përplasjet politike në vend. Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh ditën e djeshme dhe vendosi të shtyjë shqyrtimin e kërkesës së presidentit Ilir Meta, për largimin nga detyra të gjyqtarit.
Gjatë kësaj mbledhje, KLGJ ka shqyrtuar versionin e vetë Dvoranit për pretendimet e presidentit Ilir Meta dhe disa propozime të anëtarëve të Këshillit. Me shumicë votash, anëtarët e KLGJ vendosën që t’i drejtohen EURALIUS të Bashkimit Europian dhe OPDAT të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por për avokat Spartak Ngjelën, presidenti Ilir Meta do të marrë një goditje shumë të fortë nga SHBA-BE për çështjen e Dvoranit, duke deklaruar se kreu i KED do të qëndrojë në krye të detyrës deri sa t’i vijë zëvendësuesi.
Në një reagim për gazetën “SOT”, avokati tha se Dvoranit ia jep Kushtetuta të drejtën për të vijuar në atë post, duke theksuar se ndërkombëtarët janë angazhuar fuqishëm në vendin tonë për të rigjallëruar reformën në drejtësi. “KLGJ e ka të domosdoshme që tu drejtohet dy organeve ndërkombëtare, EURALIUS dhe OPDAT, si ekspertizë juridike, sepse kërkon të tregohet e paanshme në lidhje me presidentin. Por jam i bindur që të dyja këto institucione do thonë se: Dvorani qëndron në detyrë sipas Kushtetutës, e cila i kërkon të qëndrojë në atë post derisa t’i vijë zëvendësuesi. E gjithë politika perëndimore në këto momente po rigjallëron luftën për reformën në drejtësi që ta çojë deri në fund dhe luftën kundër korrupsionit shqiptar të lartë politik. Që nga viti 1996 e deri më sot. Ky spektër politik, i cili mban në suazën e vet kryeministra, president, ministra dhe deputet do shkojë deri në fund”, u shpreh Spartak Ngjela për gazetën.
Lufta kundër korrupsionit: Më tej avokati në reagimin e tij për gazetën foli edhe për luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, në muaji korrik do jepen shenjat e para të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta shtetërore, duke shtuar se brenda muajit tetor gjithçka do jetë normalizuar në favor të reformës në drejtësi. Ngjela tha se zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do mbahen në 2021 nuk do të ketë asnjë politikan të korruptuar në garë. “Aktualisht, sipas burimeve të mia, kam informacion se gjatë muajit korrik do shikojmë shenja të mëdha të goditjes së nivelit të lartë të korrupsionit në Shqipëri dhe kjo do bëhet për faktin që të gjithë këta të korruptuar nuk duhet të marrin pjesë në zgjedhjet politike të vitit 2021.
Gjatë muajit korrik do të shohim shenjat, dhe mendoj se në shtator-tetor gjithçka do jetë sheshuar në favor të reformës në drejtësi dhe drejtimit pa korrupsion të shtetit shqiptar, duke futur këtu edhe goditjen kundër krimit të organizuar, i cili ka pasur lidhje të drejtpërdrejta me politikën e lartë shqiptare. Por parë të gjitha këto, do shohim se SHBA do ti shkojë deri në fund shkarkimit të presidentit për shkeljet e rënda kushtetuese që ka kryer”, u shpreh avokat Spartak Ngjela për gazetën.