Lëvizja Socialiste për Integrim e ka treguar hapur se qëllimi kryesor për të në 25 prill është rrëzimi i reformës në drejtësi.
Ndryshe nga Partia Demokratike, e cila është zotuar se do të ndihmojë që reforma të shkojë përpara, LSI e ka treguar hapur dje se pas 25 prillit do të tentojë zhbërjen e saj. Ka qenë nënkryetari i LSI, Petrit Vasili i cili me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe organet ndërkombëtare. Ai u shpreh se sot reforma në drejtësi është një iluzion i hartuar nga një grup sorrash ku janë futur duar të pista të cilat e kanë shkatërruar atë.
Sipas tij ligjet në reformën e drejtësisë janë kafshuar nga qeveria duke sjellë mosbesimin e shqiptarëve tek drejtësia. “Reforma në drejtësi sot është një mirazh. Një kor sorrash rilindësish recitues zëçjerrë shkatërron çdo ditë reformën dhe i heq asaj përditë nga një tullë. Sot qeveria e rilindjes së bashku me Komisionin Parlamentar të Ligjeve po “marshojnë” e fusin duart e tyre të pista, duke shkatërruar hap pas hapi reformën në drejtësi me moton: “Ose e kapim, ose e shkatërrojmë reformën”.
Në reformën e miratuar në 21-22 korrik, ishte Komisioni Venecias që certifikoi atë në tërësinë e elementeve konkrete të saj. Ndërsa sot është harruar krejt dhe llafazanët nuk flasin më për të. Ligjet e reformës në drejtësi po kafshohen qenërisht nga rilindja pa ekspertizë. Ky kafshim i vazhdueshëm rilindës ka rrënuar besimin e shqiptarëve te reforma në drejtësi”, tha ai.
Vasili sulmon reformën në drejtësi
Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili gjatë ditës së djeshme u shpreh se e ashtuquajtura reformë në drejtësi nuk ka bërë asgjë për të dënuar qeverinë dhe institucionet të cilat janë të kapura prej tij. Vasili e quajti reformën në drejtësi të degraduar dhe jo atë model që shqiptarët presin të shohin.
Sipas tij ndryshimet e fundit që u miratuan në Kuvend për reformën në drejtësi, janë duke e shkatërruar dhe deformuar atë. “Askush, po askush fare, nuk bind dot njeri se kjo e ashtuquajtur reformë në drejtësi, që krijoi institucione të kapura, që kanë sjellë pandëshkueshmërinë skandaloze të qeverise rilindëse, mund të pranohet nga shqiptarët.
Këta rilindës të pacipë, që kanë tmerr nga reforma në drejtësi, po e degradojnë atë dita-ditës. Shqiptarët e kanë shumë të lehtë të krahasojnë këtë “Drejtësi të re” me drejtësinë e vendeve nga ku vijnë ndërkombëtarët e “ekzaltuar” dhe diferencat mes këtyre janë të frikshme dhe të pakrahasueshme. Drejtësia, sipas 21-22 korrikut dhe Komisionit të Venecias, është vija e kuqe, që ndan reformën e vërtetë nga shkatërrimi rilindës i saj”, tha ai.
Ai e quajti reformën në drejtësi një degradim që eliminon qëllimin dhe objektivat e vërteta të drejtësisë. Vasili u shpreh se kjo reformë është duke përcjellë zhgënjim dhe deziluzion të thellë tek të gjithë shqiptarët. Nënkryetari i LSI tha se drejtësia e re ka një mungesë të theksuar rezultatesh dhe pandëshkueshmëri skandaloze që sipas tij është kthyer në mburojë të qeverisë.
“Mbushja e sforcuar e institucioneve si qëllim në vetvete, duke shkelur e deformuar ligjet e reformës është një degradim, që asgjëson qëllimin dhe objektivat e reformës në drejtësi. Anëtarët rilindës të Komisionit të Reformës në Drejtësi që u përbetuan për reformën, duhet të kenë turp që kontribuojnë për zhbërjen e reformës në drejtësi. Me të drejtë, shqiptarët, nga ekzaltimi për reformën në drejtësi po provojnë zhgënjim dhe deziluzion të thellë prej saj. Në mungesë të rezultateve dhe të një pandëshkueshmërie skandaloze, e ashtuquajtura “Drejtësi të re” është kthyer në një mburojë të rilindjes”, tha ai./ALEKSANDRA HOXHAJ