Kryeministri Edi Rama nuk tërhiqet nga plani për shembjen e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, shefi i qeverisë thotë se ky është një plan dhe përgjegjësi qeverisëse për kombin.
Në kohën kur artistët janë ngujuar brenda ambienteve të Teatrit, kryeministri thotë se ka respekt për këtë minorancë aktorësh e politikanësh që s’kanë hyrë kurrë në Teatër.
“Asnjë minorancë nuk mund të marrë peng asgjë e askënd në këtë vend.Megjithë respektin për një minorancë aktorësh teatri dhe politikanësh që s’kanë hyrë kurrë në teatër, po janë mësuar të bëjnë teatër me çdo gjë, Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet si plan e përgjegjësi qeverisëse.
Teatrin e ri Kombëtar e kërkon kryeqyteti, vendi, kombi e shumica e komunitetit të artistëve të skenës. Njësoj si Stadiumi i Ri kombëtar ai do të jetë një gur kilometrik në rrugën e Shqipërisë që duam. Kush s’është dakord është i respektuar, po s’ka as mandat as të drejtë të pengojë.”-shkruan Rama.
Reagimi i kryeministrit Edi Rama vjen pas një sërë përplasjesh mes policisë, aktorëve dhe qytetarëve tek Teatri Kombëtar. Pasi policia rrethoi godinën për të bërë zbrazjen e saj, Basha dhe përfaqësuesë të PD shkuan në ndihmë të tyre. Artistët ngujohen brenda Teatrit dhe nënshkruajnë një marrëveshje me PD për të mos lejuar shembjen e Teatrit.