Arben Pëllumbi, sekretari organizativ i PS, foli për mediat pas votimit për delegatët e Kongresit të PS në selinë qendrore. Ai tha se procesi ka filluar normalisht në 363 qendrat e votimit dhe se në selinë e PS voton njësia numër 8 ku po eksperimentohet votimi elektronik.
Pëllumbi theksoi se kishte votuar dhe vetë në të njëjtën mënyrë dhe se ishte një votim i thjeshtë.
“Procesi ka filluar normalisht në 363 qendrat e votimit. Ajo që është e rëndësishme për ta theksuar, sikurse e vutë re, këtu në selinë e Partisë Socialiste ku voton njësia numër 8, ne jemi duke eksperimentuar edhe disa mënyra të tjera të votimit, moderne, siç është votimi elektronik. Sapo votova në mënyrë elektronike, ishte një votim shumë i thjeshtë. Unë qëllimisht nuk u njoha me këtë proces edhe në fazën e provave për të parë a ishte i thjeshtë. Në këndvështrimin tim rezulton një proces i thjeshtë. Megjithatë do shikojmë rezultatet se si do implementohet kjo nga e gjithë strukturat e anëtarësisë së PS për t’ia sugjeruar më pas komisionit të reformës zgjedhore nëse është një proces në kohën e duhur apo jo. Nga ana tjetër kemi dhe një proces tjetër që po zhvillon një grup prej 100 vetësh të zgjedhur të njësisë 8, me votimin online. Ai ka filluar që ditën e premte”, u shpreh Pëllumbi.