Ditën e sotme është bërë fluturimi i parë për të testuar uljen e avionëve në aeroportin e Kukësit. E pranishme ishte dhe ministrja Belinda Balluku, e cila bëri të qartë se avioni nuk do të ulet në pistë për arsye sigurie, pasi vijon ende puna.
“Vetëm një muaj nga fillimi i operimeve. Punët kanë pasur një ecuri të shpejtë dhe jam e impresionuar nga ritmi. Sot do të kemi një fluturim prove në aeroportin e Kukësit për të dizenjuar procedurën e ulje ngritjeve.
Këto janë procedura standard, të cilat duhet kryer dhe duke nisur nga sot dhe ditët në vijim do të ketë disa të tilla. Për arsye sigurie, avioni nuk do të ulet pasi vijon puna në pistë”, tha Balluku.
Pamjet janë publikuar në faqen e Facebook të kryeministrit Edi Rama, i cili nuk hezitoi të thumbonte të gjithë skeptikët duke shkruar: “Në Aeroportin e Ri Ndërkombëtar të Kukësit nisin testimit e uljes së avionëve, ndërsa po punohet paralelisht në disa fronte për të hapur së shpejti portat e aeroportit të ri.
Avionët e testimeve janë 3D natyrisht, për të gjithë miqtë demokratikas këtu që shajnë e hanë me pasion.”