Kreu i Partisë Socialdemokrate e Shqipërisë Tom Doshi i është përgjigjur ambasadores amerikane Yuri Kim në lidhje me deklaratat e saj kundër kandidimit të tij për zgjedhjet e 25 prillit.
Gjatë hapjes së fushatës elektorale në kryeqytet, Doshi tha se është mbështetës i Amerikës dhe njeriu kyç që reforma në drejtësi kaloi në Parlament.
“Unë jam një mbështetës i Amerikës dhe punën më të madhe që kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shqiptarët është reforma në drejtësi.
Në këtë reformë, unë jam njeriu kyç, që kjo reformë kaloi në Parlament”, tha Doshi.
Ai shprehu bindjen se me kandidatët që përfaqëson, PSD do të jetë forcë e tretë politike në këto zgjedhje.
Gjatë fjalës së tij, Tom Doshi bëri të ditur sloganin e partisë: “Na jepni besimin, t’ju kthejmë shpresën”.
“PSD është krijuar në 1991, ne jemi parti e qendrës, përfaqësojmë të majtë, të djathtë, të persekutuar, të gjithë që janë bindjet e tyre.
Sloganin e kemi “Na jepni besimin t’ju kthejmë shpresën”. PSD-ja është e vetmja forcë që do t’ju kthejë këtë shpresë. Shqetësimi më i madh është korrupsioni.
Ju citoj thënie të Papës, “korrupsioni është si lebra, që sëmurë dhe vret shpresën”. Unë jam një mbështetës i Amerikës, ka qenë një shpresë për mua që në 1991 por punën më të madhe që ka bërë për shqiptarët Amerika është reforma në drejtësi.
Te kjo reformë unë jam njeriu kyç, që ajo reformë ka kaluar. Në këto zgjedhje në do të jemi forcë e tretë. Jemi të gjithë figura të pastra, që të mos u akuzojë kërkush për korrupsion” vijoi ai.